Dogana e RMV-së sekuestroi 300 copë fillerë buzësh me vlerë nëntë mijë euro

Në pikën kufitare Deve Bair, doganierët kanë penguar tentativën për kontrabandë të 300 copëve të mbushësit (fillerë) REVOLAX, në vlerë prej nëntë mijë eurosh, transmeton Portalb.mk.

“Personi, ndryshe shtetas kosovar me iniciale A.G., ka tentuar të hyjë në vend pa deklaruar mallin. Në pyetjen e doganierit nëse kishte diçka për të deklaruar, ai u përgjigj se nuk kishte asgjë për të deklaruar përveç bagazheve personale. Gjatë kontrollit rutinë të kryer nga doganierët në valixhen e pasagjerit dhe pas karrigeve të pasme, janë zbuluar 300 copë mbushëse fytyre, kryesisht për buzë, vlera e të cilave sipas faturës së gjetur në automjet është 9000 euro “, informoi Drejtoria e Doganave.

Malli dhe automjeti janë konfiskuar përkohësisht, ndërsa ndaj personit është paraqitur kallëzim penal përkatës për kontrabandë.