“Tre tenorët” Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi mbrëmë i dhanë magjinë publikut në Tetovë

Mbrëmë në Qendrën për Kulturë u mbajt gala koncert i tre tenorëve të njohur shqiptar: Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi. Në këtë mbrëmje koncertale të gjithë artdashësit e muzikës serioze patën mundësin të dëgjojnë muzikë të përzgjedhur nga repertori shqiptar dhe botëror: këngë napoletane dhe arbëreshe, arie të Puçinit, muzikë nga Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Shtrausi, këngë popullore shqiptare e të tjera, njofton Portalb.mk.

“Tre tenorët” na dhan një mbrëmje spektakolare me zërin e tyre të mahnitshëm, duke na sjellë këngë që janë në albumin historik të muzikës shqiptare, gjithashtu edhe perla të zgjedhura të repertuorit lirikë botërore.

Në mënyrë brilijante mbrëmë interpretuan tre tenorët Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi të përcjellur nga orkestra profesioniste, të cilën e drejtuan maestro Isak Shehu dhe dirigjenti asistues, Premtim Etemi.

Ky koncert u mbajt në kuadër të edicionit të 12-të të manifestimit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, që realizohet nga Shoqata për Kulturë “Allegretto”.

Ky aktivitet u realizua me përkrahje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, Qendra për Kulturë – Tetovë dhe Komuna e Tetovës.

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare është një nga manifestimet më të suksesshme për muzikë klasike në Maqedoni.