Ansambli “Bajram Shabani”, kremtoi ’79 vjet Art, Kulturë, Traditë’, “Tingulli i pashuar” kushtuar Luan Rushitit
Ansambli i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova organizoi Koncert me moto “79 Vjet Art, Kulturë, Traditë”, “Tingulli i pashuar” kushtuar Luan Rushitit. Ishte një natë e mbushur me emocion art dhe kulturë. Koncerti u mbajt në Pallatin e Kulturës në Kumanovë në vigjilje të Festave të Nëntorit, një periudhë krenarie dhe kujtese për rrënjët tona, njofton Portalb.mk.
Në kuadër të manifestimit, u zhvillua një dokumentar për doajenin e paharruar të muzikës kumanovare Luan Rushitit. Ai nga rinia e hershme, menjëher pas kryerjes së shkollës profesionale të muzikës në Prizren u antarsua në Ansamblin “Bajram Shabani”.
Gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta Luani ishte ndër shtyllat kryesore të orkestrit të ansamblit Ansamblit kuamnovar, madje edhe udhëheqës i këtij orkestri. Shok, kolegë e mik i dalluar ndër vite, virtuoz i vërtetë gati në të gjitha instrumentet muzikore. Me Naimin, Isën e shumë muzikant të tjerë ngritën në majën e sukseseve emrin e shoqërisë “Bajram Shabani”.
Gjatë atyre dekadave orkestrina e shoqërisë kulturore artistike “Bajram Shabani” ishte brend i vërtetë muzikor. Këtë Luani me shokë e dëshmuan kudo që u paraqitën në qindra koncerte e festivale. Gjithsesi, do të mbetet në kujtesë pjesëmarrja në festivalin e shoqërive kulturore artistike të ish Jugosllavisë, që për disa ditë gjatë verës së vitit 1978 u mbajt në Mitrovicë. Luani me shokë, kudo që u paraqitën me koncerte në kuadër të festivalit u mirëpritën me duartrokitje frenetike. Dhe ajo që është më me rëndësi, falë performancës në të gjitha paraqitjet në festival shoqëria “Bajram Shabani” zuri vendin e dytë në ish Jugosllavi. Edhe pse për nga vlerat dhe cilësia i takonte vendi i parë. Luani gjatë mëse dy dekada veprimi me përkushtim ka lënë gjurmë historikun e SHKA “Bajram Shabani”.
Në nderim të veprës së tij i’u nda pllaket mirënjohje post-mortum anëtarve të familjes së Luan Rushtit. Këtë pllaket e pranoi djali i tij, Arian Rushiti.
Ky ansambël, i formuar 79 vite më parë nga përkushtimi i intelektualëve dhe kulturdashësve të Kumanovës, u bë i pari ansambël shqiptar në trojet tona, duke e nderuar e lartësuar kulturën tonë. Me përkushtim të pandalshëm, ai vazhdon edhe sot, duke ruajtur dhe përcjellë me krenari kulturën, artin dhe traditat shqiptare.
Driton Ramadani, drejtor i Ansamblit i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” e shpalli të hapur këtë manifestim, në fjalën e tij përshëndetëse uroi që ky ansambël të gëzojë edhe dekada dhe shekuj të tjerë.
“Luan Rushitit ky personalitet i shquar do të mbetet gjithmonë si një shembull i shkëlqyer i përkushtimit ndaj artit dhe kulturës sonë. Me kontributin e tij të vyer, ai ka lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të na frymëzojë dhe të mbajë gjallë traditat tona.” tha ai.
Ky koncert u mbështetet nga Ministria e Kulturës së RMV-së, nga Komuna e Kumanovës dhe disa donatorë të tjerë.