Tre javë kalkulim e deklarata pa rezultat për provimin e jurisprudencës në shqip, Mickoski: “Asgjë nuk është dakorduar”
Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet e pazgjidhur, pavarësisht kalkulimeve e deklaratave të vazhdueshme nga përfaqësuesit e qeverisë se po punohet për një zgjidhje. Kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur sot për takimin e djeshëm me grupin punues mbi këtë çështje, deklaroi se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete, raporton Portalb.mk.
I pyetur nëse është arritur diçka gjatë takimit me grupin punues, ai u përgjigj shkurt: “Asgjë”.
Më pas, i pyetur se pse nuk është arritur zgjidhje “në negociata”, duke qenë se ai dje tha se priste zgjidhje produktive, Mickoski shtoi:
“Ne nuk jemi në negociata. Po afrohemi drejt një zgjidhjeje në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Po, ne bisedojmë, por nuk negociojmë për këtë temë”.
Deklaratat e tij bien ndesh me pritjet e përfaqësuesve shqiptar të qeverisë, të cilët prej javësh paralajmërojnë zgjidhje.
Zëvendëskryeministri Bekim Sali më herët kishte paralajmëruar se çështja do të zgjidhej brenda një jave, por afati ka kaluar pa asnjë epilog.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë deklaroi se ende nuk e ka shqyrtuar propozimin e grupit punues për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai tha se të hënën (8 qershor), është dakorduar takim tek ai në kabinet që të prezantohet propozimi. Grupi i punës i përbërë nga ekspertë kushtetues tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë propozim-zgjidhjen për këtë çështje.
Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për çështjen e provimit të jurisprudencës.
- LEXO: Kaloi një javë, zv.kryeministri Bekim Sali nuk e zgjidhi problemin e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip
- LEXO: VLEN pa një qëndrim unik, njëri thotë një javë, tjetri tre muaj për çështjen e provimin të jurisprudencës
- LEXO: Ademi i reagoi Mickoskit dhe Fillkovit, atyre u pengon mungesa e flamurit shtetëror dhe paralajmërojnë dërgimin e ligjit në Komisionin e Venedikut