Mickoski paralajmëroi Qendër të re Klinike dhe pacientë të huaj në pronë private
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se, siç tha ai, Qendra “ultra moderni” Klinike në Shkup do të tërheqë pacientë edhe nga vendet fqinje, edhe pse shteti ende nuk e ka blerë tokën ku duhet të ndërtohet. Bëhet fjalë për një lokacion afër pishinës “Boris Trajkovski” në Karposh, transmeton Portalb.mk.
“Jemi të fokusuar në përfundimin e procedurës së Spitalit Klinik në Shtip, konviktit studentor dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Qendrës Shëndetësore në Kërçovë me veprimtari të zgjeruar dhe Spitalit Klinik në Tetovë. Këtu tashmë kemi pasur thirrje ndërkombëtare për të gjetur financues dhe kemi oferta që janë jo detyruese dhe indikative, të cilat për ne janë të favorshme dhe të pranueshme. Këto projekte duhet t’i përfundojmë, ndërsa është logjike që ndërkohë të mendojmë edhe për qendrën e madhe klinike që duhet të ndërtohet në Shkup. Po shqyrtojmë një lokacion përballë pishinës ‘Boris Trajkovski’. Ai lokacion është në dy bulevarde, ka qasje në gaz, është afër unazës. Kjo do të thotë se jo vetëm për kryeqytetin dhe Maqedoninë si shtet, por mund të tërheqim edhe pacientë nga vendet fqinje që do t’i përdorin shërbimet e këtij, siç është plani ynë, qendër klinike ultra moderne”, tha Mickoski në deklaratë për mediat, duke shtuar se pret që vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi i Qendrës Klinike.
Ai paralajmëroi se plani ishte që nën “Ilindenska” të ketë një nënkalim që do ta lidhë Qendrën Klinike me “8 Shtatorin”, si dhe me poliklinikën “Bukuresht”.
“E gjithë kjo është e lidhur me poliklinikën ‘Bukuresht’. ‘8 Shtatori’ ka pajisjet më moderne, të vetme në Ballkan. Kjo është ambicia jonë, ky është fokusi kryesor i prioriteteve tona. Aty është vendi i Qendrës Klinike. Në këtë mënyrë vlerësojmë se do ta zhvillojmë shtetin”, shtoi Mickoski.
Më 14 nëntor të vitit të kaluar, Mickoski kishte thënë se vetë lokacioni i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” është më i miri për një Qendër të re Klinike.
“Ai perimetër mendoj se është më i përshtatshmi, sepse ka qasje në gaz dhe infrastrukturë rrugore jashtëzakonisht të mirë dhe mendoj se si tërësi mund të shqyrtohet seriozisht me një zgjerim të lehtë për të arritur atë që e dëshirojmë si shtet dhe pacientët të marrin cilësinë që u duhet. Nuk tërhiqemi. Kjo nuk është në konsultim me ekspertë, ky është qëndrimi im personal”, tha Mickoski.
Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski, vitin e kaluar tha se ideja për ndërtimin e një qendre të re klinike është lënë në pritje, në mënyrë që të merren parasysh nevojat e shoqërisë.
“Planifikojmë që Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” në Shkup ta bëjmë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga kryeqyteti, por edhe nga Kumanova dhe Velesi”, kishte deklaruar në vitin 2025-të drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski.
Sidoqoftë, deri sot, premtimet e deritanishme kanë qenë boshe, pasi në terren asgjë nuk është realizuar.
- LEXO: Investim strategjik apo deklaratë politike, paqartësi rreth 74 milionë eurove për Spitalin e Tetovës
- LEXO: Ideja e shumë-premtuar për Qendër të re Klinike në pauzë, spitali “8 Shtatori” po përgatitet të bëhet qendër rajonal
- LEXO: Qendra e re Klinike për tre vjet ka thithur gjysmë milioni euro për njëzet persona me kontratë në vepër
- LEXO: Qeveria e miratoi informatën për ndërtimin e Qendrës së re Klinike
- LEXO: Zaev: Në vjeshtë fillojmë me ndërtimin e Qendrës së re klinike
- LEXO: Mexhiti: Mbretëria e Bashkuar do të financojë ndërtimin e një Qendre të re Klinike