Mickoski: Të hënën do ta shoh propozimin për provimin e jurisprudencës
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ende nuk e ka shqyrtuar propozimin e grupit punues për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Ende nuk e kam parë propozimin. Mendoj se javën tjetër, të hënën, është dakorduar takim tek unë në kabinet që të prezantohet propozimi”, tha shkurt Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkohë, grupi i punës i përbërë nga ekspertë kushtetues tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë propozim-zgjidhjen për këtë çështje. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në një prononcim për Alsat bëri të ditur se propozimi parasheh që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe, me kërkesë të kandidatit.
Sipas tij, pjesa praktike e provimit do të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase, pasi lëndët dhe materialet që përdoren në gjykata janë vetëm në këtë gjuhë.
“Kemi të bëjmë vetëm me pjesën praktike ku lëndët që do të jepen në test, do të jenë në gjuhën maqedone. Pra, vetëm ajo pjesë mbetet, pjesa tjetër teorike ne e kemi zgjidhur, kush është anëtari i komisionit, si do të zgjidhen anëtarët, të gjitha këto ndryshime janë të parapara. Pra, pjesa teorike mbetet në gjuhën shqipe”, tha Sali.
Ai shtoi se edhe studentët e juridikut e kanë pranuar nevojën për njohjen e gjuhës maqedonase, por mbetet e hapur mundësia që gjatë provimit të sigurohet përkthimi i materialeve përkatëse.
Propozimi parashikon ndryshime edhe në nenin 6 të ligjit, ku me një paragraf të ri garantohet përkthimi i programit, akteve, literaturës juridike dhe pyetjeve të provimit në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ndryshohet formulimi për përbërjen e komisionit, duke përcaktuar që anëtarët të zgjidhen “nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike të akredituara në shtet”.
Sipas Saliut, faza e ardhshme ka të bëjë me përcaktimin e procedurës administrative për procedimin e ndryshimeve ligjore, qoftë përmes deputetëve ose si propozim i Qeverisë. Ndërkaq, siç kishte paralajmëruar më herët Mickoski, para miratimit përfundimtar zgjidhja do të dërgohet për opinion në Komisioni i Venecias.
Sa i përket vendimit në duar të ministrit, kujtojmë se ministri i Drejtësisë, Igor Filkov është kategorik se nuk do të ketë provim në gjuhën shqipe.
Në pamundësi të “bindjes” së ministrit, VLEN, pati deklaruar se është formuar një Komision qeveritar për zgjidhjen e kësaj çështje.
Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti për Euronews, tha se janë marrë vesh me kryeminsitrin e vendit, Hristijan Mickoski për gjuhën shqipe dhe çështja e provimit të jurisprudencës do të rregullohet për 3 muaj.
“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
- LEXO: Kaloi një javë, zv.kryeministri Bekim Sali nuk e zgjidhi problemin e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip
- LEXO: VLEN pa një qëndrim unik, njëri thotë një javë, tjetri tre muaj për çështjen e provimin të jurisprudencës
- LEXO: Ademi i reagoi Mickoskit dhe Fillkovit, atyre u pengon mungesa e flamurit shtetëror dhe paralajmërojnë dërgimin e ligjit në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Shkelën Ligjin për flamujt, himnin dhe Kushtetutën, tha Mickoski për protestën e studentëve shqiptarë