Tre ditë para fjalëve përfundimtare, Prokuroria e Kumanovës tërhoqi aktakuzën për keqpërdorim kundër Maksim Dimitrievskit

Gjykata e Kumanovës informoi se Prokuroria Publike e Kumanovës ka tërhequr akuzat kundër kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili gjykohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Gjykata Themelore e Kumanovës, për shkak të interesit të publikut për procedurën në rastin e Gjykatës Themelore të Kumanovës K-115/24 kundër të pandehurit M.D. nga Kumanova për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, njofton se më 1 korrik të këtij viti, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është refuzuar aktakuza në përputhje me nenin 402, paragrafi 1, pika 3 të Ligjit për Procedurën Penale, sepse prokurori publik, me një parashtresë të datës 30 qershor të këtij viti, e ka tërhequr aktakuzën”, njoftoi Gjykata Themelore e Kumanovës.

Lidhur me këtë, gazetarët pyetën Prokurorinë se cilat ishin arsyet e rrëzimit të akuzave në një fazë të procedurës kur fjalët përfundimtare ishin caktuar për nesër, nga ku thanë se tashmë nuk plotësohen karakteristikat ligjore të veprës penale që i ngarkohej me akuzën e ngritur.

“Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës i dorëzoi njoftim Gjykatës Themelore në Kumanovë me të cilin tërheq propozimin e aktakuzës, i cili bazohej në provat e propozuara, kryesisht në ekspertizën materiale dhe financiare të përgatitur në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra, në bazë të të cilave doli se veprimet e kryerjes së veprës penale, të cilat konsistojnë në mosveprim sipas nenit 59, paragrafi 11 i Ligjit për Ndërtimin, shkaktuan dëme të konsiderueshme pasurore për dy personat juridikë të dëmtuar në shumën prej 3,307,869 denarësh. Megjithatë, pas paraqitjes së të gjitha provave gjatë procedurës dhe mbi të gjitha deklaratave të ekspertëve, del se ata janë unanimë se tani, në kushtet e një Leje ndërtimi të lëshuar tashmë, dëmi i deklaruar në aktakuzë i shkaktuar personave juridikë, për shkak të mosveprimit sipas nenit 59, paragrafi 11, nuk ekziston, dhe për këtë arsye është e padiskutueshme se nuk plotësohen më karakteristikat ligjore të veprës penale që u ngarkua me aktakuzën e ngritur. Që të plotësohen karakteristikat ligjore të kualifikimit të deklaruar, është e nevojshme që të jetë shkaktuar-ndodhur dëm i konsiderueshëm, i cili në këtë rast specifik në kushtet e një leje ndërtimi të lëshuar nuk ekziston, sipas ekspertëve”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori Publik shtojnë nga ky instituciom, shqyrtoi edhe kryerjen e mundshme të një vepre penale me kualifikim të ndryshëm ligjor, duke analizuar edhe një herë tërësisht të gjitha provat e paraqitura gjatë procedurës gjyqësore, dhe çështja iu referua dy herë Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkesë të prokurorit në fjalë.

“Megjithatë, nga të gjitha veprimet e ndërmarra, u përcaktua se nuk kishte prova të forta që do të vërtetonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale të ndjekur sipas detyrës zyrtare, kështu që prokurori publik ishte i detyruar të tërhiqte aktakuzën”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nga ana tjetër Dimitrievski është shprehur se drejtësia ka triumfuar.

“Drejtësia triumfoi! Shpenzimet e procedurës do të rikthehn sipas ligjit dhe do t’ju informoj për veprimet e mia të mëtejshme ligjore në të ardhmen”, tha Dimitrievski.

Drejtësia më në fund ka dalë në dritë, thotë kryetari i Bashkisë së Kumanovës dhe kryetar i Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë Tonë, Maksim Dimitrievski, në lidhje me vendimin e Prokurorisë Themelore Publike të Kumanovës për të tërhequr aktakuzën kundër tij në bazë të së cilës u zhvillua një gjykim në gjykatën e Kumanovës.

Sipas aktakuzës, nga prilli i vitit 2023, si kryetar i Komunës së Kumanovës, Dimitrievski nuk e ka kryer detyrën zyrtare dhe nuk e ka nënshkruar vendimin për ndërtim dhe përllogaritjen për kompensim për zhvillimin e tokës ndërtimore të subjekteve juridike “UPM-GRUP” dhe “Hromak” nga Kumanova. Me këtë ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 i Kodit Penal.

Dimitrievski më pas tha se akuza është ngritur për të dëmtuar reputacionin e tij dhe për ta diskredituar para zgjedhjeve. Biznesmenët i kërkuan të mos luajë “viktimën” por të respektojë ligjin dhe vendimet e institucioneve kompetente dhe gjykatave më të larta.