Tradhti, humor dhe tension do të sjellë shfaqja “E Vërteta” më 13 korrik në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup
Në kuadër të festivalit “Vera e Shkupit”, më 13 korrik në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup, do të jepet premiera e shfaqjes “E Vërteta”, një komedi nga autori i njohur Florian Zeller, nën regjinë e Besfort Idrizit. Kjo shfaqje në thelb trajtojë një temë delikate siç është tradhtia, por pa rënë në patetizëm apo klishe, shkruan Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Besfort Idrizi për Portalb.mk tha se kjo vepër është një shfaqje që na bën të qeshim, por edhe të ndalemi dhe të mendojmë: çfarë është e vërteta?
“Shfaqja “E Vërteta” është një komedi e mprehtë që në thelb trajton një temë delikate siç është tradhtia, por pa rënë në patetizëm apo klishe. Ajo çfarë i ofrojmë publikut është një udhëtim emocional ku humori dhe tensioni bashkëjetojnë, duke krijuar një pasqyrë ironike dhe të sinqertë mbi mënyrën se si njerëzit ndërtojnë të vërtetat e tyre në marrëdhënie. Është një shfaqje që na bën të qeshim, por edhe të ndalemi dhe të mendojmë: çfarë është e vërteta”, tha Idrizi.
Ai më tej shtoi se ajo që e ka tërhequr te teksti i i Florian Zeller-it “E Vërteta”, është mënyra se si ai shpërbën iluzionet dhe ekspozon dobësitë njerëzore me shumë finesë.
“Zeller ka një mënyrë shumë precize dhe elegante për të ndërtuar tension dramatik përmes gjërave të pathëna. Më tërhoqi mënyra se si ai shpërbën iluzionet dhe ekspozon dobësitë njerëzore me shumë finesë. Në këtë tekst konkret, më intrigoi ideja që askush nuk është plotësisht i pafajshëm dhe askush nuk është krejtësisht fajtor-dhe e gjithë kjo vjen përmes një dialogu të ngjeshur, plot ritëm dhe ironi”, tha Idrizi.
Idrizi nënvizoi se më sfiduese ishte të ndërtohej dinamika midis personazheve që bazohen te mashtrimi.
“Ishte një nga aspektet më sfiduese, sepse kur marrëdhënia mes personazheve ndërtohet mbi gënjeshtra, rreziku është që gjithçka të duket artificiale. Por ajo që e bën këtë tekst të veçantë është se mashtrimi buron nga frika, dashuria apo mungesa e guximit-gjë që e bën çdo gënjeshtër shumë njerëzore. Me aktorët kemi punuar shumë që ta ruajmë këtë balancë: ta bëjmë publikun të ndiejë njëkohësisht edhe empati edhe siklet për personazhet”, tha Idrizi.
Sfidat deri te krijimi i shfaqjes, tha ai tutje, ishin nga më të ndryshmet.
“Sfidat ishin kryesisht në krijimin e një hapësire skenike që ta mbështesë tensionin e brendshëm të shfaqjes pa e mbingarkuar atë. Për shkak se teksti është shumë kompakt, çdo element-nga ritmi i lojës deri te qasja vizuale-duhej të ishte i matur dhe preciz. Po ashtu, për të ruajtur intensitetin dhe energjinë e komedisë, duhej një ndërtim shumë i kujdesshëm i tranzicioneve emocionale dhe skenike”, tha Idrizi.
Idrizi shpreson që publiku të largohet nga salla duke reflektuar jo vetëm mbi marrëdhëniet romantike, por mbi vetë konceptin e së vërtetës në jetën tonë të përditshme.
“A është më mirë të thuash të vërtetën gjithmonë? A mund të mbijetojë dashuria përballë sinqeritetit të skajshëm? Shfaqja nuk jep përgjigje të thjeshta, por ngre pyetje të rëndësishme për marrëdhënien mes ndjenjës dhe moralit, mes dëshirës dhe ndershmërisë”, tha Idrizi.
Kjo shfaqje do të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festivale të ndryshme, shtoi ai.
“Premiera do të mbahet më 13 korrik 2025, në kuadër të festivalit “Vera e Shkupit”, ndërsa repriza e parë do të jetë më 14 korrik. Më tej, shfaqja është ftuar të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibër, në muajin shtator, çka e shënon fillimin e rrugëtimit të saj drejt publikut të gjerë”, tha Idrizi.
Në shfaqje luajnë aktorët: Mumin Abdullai, Dea Pajaziti, Flakron Aliu dhe Melika Kastrati.