Biletat u shtrenjtuan, studentët në hall: Janevska thotë se subvencionet nuk janë prioritet, Mickoski paralajmëroi shqyrtim
Pas rritjes së çmimeve të biletave për transportin ndërurban për të cilat raportoi fillimisht Portalb.mk, ndërsa sot pati reagime edhe nga qytetarët, ministrja e Arsimit tha se për momentin nuk është prioritet të jepen subvencione për studentët, ndërsa kryeministri tha se do e rishqyrtojnë.
Nga 1 shtatori, biletat e autobusëve të linjave ndërurbane janë rritur ndjeshëm. Kështu, bileta mujore e linjës Tetovë–Shkup është rritur nga 5,500 në 6,500 denarë. Bileta Kumanovë – Shkup është 6,000 denarë në muaj. Gostivar – Shkup është 8,000 denarë në muaj.
E pyetur nëse planifikohen subvencione për studentët që udhëtojnë drejt kryeqytetit, ministrja Vesna Janevska u përgjigj se kjo për momentin nuk është prioritet.
“Studentët kanë mundësi të regjistrohen në gjashtë universitete shtetërore dhe, siç jam e informuar, ata zgjedhin ato që u përshtaten më së shumti. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është se ne duhet ta përmirësojmë cilësinë e arsimit, që do të thotë se duhet të kemi prioritete. Këto prioritete janë mësimi me një ndërrim dhe mësimi gjithëditor për më të vegjlit, ndryshimi i planeve dhe programeve mësimore në arsimin e lartë, miratimi i një ligji të ri për arsimin e lartë, e më pas, teksa do t’i zbresim prioritetet nga i pari drejt të fundit, do të kujdesemi edhe për çështjet e tjera”, tha Janevska.
Nga ana tjetër kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria do ta rishikojë këtë si çështje.
Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk thonë se çmimet në treg, në kushtet e ekonomisë së tregut, formohen në mënyrë të tregut të lirë.
“Kufizimet dhe ndalesat në tregti janë paraparë në nenin 29 të Ligjit për Tregti, ku përcaktohen rastet dhe kushtet në të cilat Qeveria mund të kufizojë përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë tregtare. Duke pasur parasysh se asnjë nga këto raste nuk është përmbushur, Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk mund të propozojë masa për parandalimin ose kufizimin e çmimeve të biletave të transportit ndërurban”, shtuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Portalb.mk ka dërguar pyetje edhe deri te kompania Rule Turs për të kërkuar sqarime se për çfarë arsyeje është rritur çmimi, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, shtrenjtimi i biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane së pari filloi në shkurt të vitit 2022 ndërsa që atëherë çmimet janë shtrenjtuar disa herë. Për këtë problem qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht, por kanë hasur në vesh të shurdhër.
- LEXO: Edhe një goditje për xhepin: U shtrenjtuan biletat për linjat ndërurbane, nga Tetova në Shkup për 50 denarë, nga Kumanova për 30 denarë
- LEXO: Mbeten “të kripura” çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane në RMV, kompanitë nuk do t’i ulin
- LEXO: RMV, shtrenjtohen sërisht biletat ndër-urbane, studentët e ekspozuar ndaj harxhimeve më të mëdha
- LEXO: Parlamenti studentor i UKM-së kërkoi studentët të mbrohen nga rritja e çmimit të biletave për autobus
- LEXO: RMV, u shtrenjtua çmimi i biletave ndër-urbane, qytetarët: Po pamundësohet jeta në këtë vend