Lufta në Ukrainë nuk është luftë e BE-së

Nuk është e vërtetë që lufta në Ukrainë është një luftë e Bashkimit Evropian, siç dëshiron ta paraqesë postimi. Një pretendim i tillë mbështet dezinformimin pro-Kremlin se Rusia nuk është fajtore për luftën në Ukrainë, se lufta u nis nga BE-ja dhe NATO-ja, dhe Rusia vetëm po mbron veten, shkruan Vërtetmatësi.

Ne analizojmë një postim në Facebook që thotë:

25,000 dollarë për rekrutim ushtarak në Ukrainë dhe 25,000 dollarë shtesë për një vit në luftë … Nga i gjen paratë Ukraina kur tashmë i ka borxh njëqind breza të saj për këtë luftë BE-së…

Nuk është e vërtetë që lufta në Ukrainë është një luftë e Bashkimit Evropian, siç dëshiron ta paraqesë postimi.

Një pretendim i tillë mbështet dezinformimin pro-Kremlin se Rusia nuk është fajtore për luftën në Ukrainë, se lufta u nis nga BE-ja dhe NATO-ja, dhe Rusia vetëm po mbron veten. Më 24 shkurt 2022, trupat ruse nisën një sulm ndaj Ukrainës të urdhëruar nga Presidenti Vladimir Putin, i cili njoftoi një “operacion ushtarak special” në orët e para të mëngjesit, pavarësisht paralajmërimeve nga udhëheqësit botërorë se ky veprim mund të çonte në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Sulmi u parapri nga vendimi i Presidentit rus Putin më 21 shkurt 2022, për të njohur pavarësinë e të ashtuquajturave republika popullore të Donetskut dhe Luhanskut, të cilat kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014. Ky vendim i lejoi Putinit të dërgonte drejtpërdrejt njësi ushtarake ruse në Ukrainën Lindore, ku përleshjet sporadike midis forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë ishin tashmë në zhvillim e sipër.

Që nga fillimi i pushtimit agresiv ushtarak të Ukrainës nga Rusia, propaganda e Kremlinit është përpjekur vazhdimisht të shtrembërojë narrativën, ose më saktë të imponojë një sërë justifikimesh për sulmet e saj. E vërteta është se ishte Rusia ajo që kreu një pushtim ushtarak të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

BE-ja po i ofron ndihmë ushtarake dhe financiare Ukrainës, e cila ka të drejtë të mbrohet kundër një pushtimi ushtarak rus dhe të mbrojë integritetin e saj territorial.

Që nga shkurti i vitit 2022, Këshilli Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë takuar rregullisht për të diskutuar situatën në Ukrainë nga perspektiva të ndryshme.

Rusia duhet ta ndalojë menjëherë këtë luftë të tmerrshme. Bashkimi Evropian do të qëndrojë pranë Ukrainës me mbështetjen e saj të fortë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, thuhet në përfundimet e Këshillit Evropian të 9 shkurtit 2023.

Udhëheqësit e BE-së i kanë bërë vazhdimisht thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga Ukraina dhe të respektojë plotësisht integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Ata theksuan të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur fatin e vet dhe vlerësuan popullin ukrainas për guximin e tyre në mbrojtjen e vendit të tyre.

BE-ja ka treguar unitet dhe forcë dhe i ka ofruar Ukrainës mbështetje humanitare, politike, financiare dhe ushtarake.

Sa i përket përfitimeve që marrin ata që regjistrohen për shërbim ushtarak, qeveria ukrainase më 11 shkurt 2025 miratoi një skemë që u lejon vullnetarëve të moshës 18 deri në 24 vjeç të nënshkruajnë kontrata njëvjeçare që përfshijnë trajnim bazë ushtarak, trajnim specialist dhe një kurs adaptimi në një njësi ushtarake. Rekrutët do të marrin një bonus të njëhershëm prej një milion hryvnia (rreth 25,000 dollarë) të paguar në këste: 200,000 me nënshkrimin e kontratës, 300,000 me përfundimin e trajnimit dhe 500,000 me lirimin nga detyra. Përveç kësaj, ata do të marrin një pagë mujore prej 120,000 hryvnia (mbi 2,800 dollarë).

Nga të gjitha sa më sipër, mund të konkludojmë se njoftimi që po analizojmë është i pasaktë.