Tre persona të mitur u kapën duke konsumuar alkool në pishinën e Vinicës, sulmohen dy policë
Tre persona të mitur, dy prej të cilëve të moshës 16-vjeçare nga Vinica dhe një 14-vjeçar nga Koçani, janë kapur duke konsumuar pije alkoolike në Pishinën e qytetit në Vinicë, informuan sot nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për një kontroll aksionar që u zhvillua mbrëmë në një objekt hotelierik, transmeton Portalb.mk.
Në aksion, përveç policëve nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shtip, morën pjesë edhe inspektorë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (IST), nga Inspektorati i Punës, nga Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) dhe nga Qendra për Shëndet Publik – Koçan.
“Më datë 02/03.08.2025, prej orës 23:50 deri në ora 02:00 në Pishinën e qytetit në Vinicë janë legjitimuar 19 persona dhe janë kontrolluar tetë persona. Nga ana e zyrtarëve policorë në objekt janë kapur edhe tre persona të mitur, dy të moshës 16-vjeçare nga Vinica dhe një 14-vjeçar nga Koçani, duke konsumuar pije alkoolike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike (PTP) Koçani, dhe sipas udhëzimeve të tij, për shkak të dyshimit për vepër penale – shërbim i pijeve alkoolike për fëmijë, nga të miturit e kapur, në prani të prindërve ose kujdestarëve janë marrë deklarata dhe materiale për analiza, si dhe është bërë edhe testimi për alkool.
Gjatë kryerjes së kontrollit janë sulmuar edhe dy policë.
“Nga ana e U.M. nga Vinica, fillimisht verbalisht, e më pas edhe fizikisht janë sulmuar dy policë, pas së cilës sulmuesi është larguar në arrati. Po merren masa për gjetjen e tij”, informojnë nga MPB.
Ndërkohë, Inspektorati i Punës, gjatë kontrollit, ka konstatuar shkelje në lidhje me marrëdhënie pune të parregulluara për disa prej të punësuarve në objektin hotelierik.