Tetovën e pret edhe një verë “e nxehtë” në trafik, Komuna nuk tregon nëse (nuk) ka zgjidhje

Ngjashëm si vitet e kaluara, me ardhjen e mërgimtarëve, edhe këtë vit muaji qershor, korrik dhe gusht pritet të jenë të shoqëruar nga kaosi në trafik në Tetovë. Komuna e Tetovës nuk tregon nëse do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për këtë problem. Ndërsa Policia e Tetovës thekson se do ndërmarrin masat e duhura për të pasur qarkullim normal në qytet, shkruan Portalb.mk.

Kaosi në trafik periudhën në vijim pritet të shtohet gradualisht dita ditës, ndërsa për këtë problematikë nga Komuna e Tetovës nuk përfillin pyetjet gazetareske. Edhe pse të kontaktuar disa herë, përmes emailit, sms porosive dhe telefonit. Nga ky institucion nuk përgjigjen nëse kanë plan konkret për këtë problematikë dhe çfarë aktivitetesh.

Nga ana tjetër, Fatmir Rexhepi, zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë tha se po përgatiten për një verë me shumë mërgimtarë.

“Për këtë arsye po ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet në mënyrë të intensifikuar për të mundësuar qarkullimin normal dhe të rrjedhshëm nëpër zonat qendrore të qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, në raport me parkimin e gabuar dhe të paligjshëm të automjeteve”, tha Rexhepi.

Ai theksoi se në rrjedhë e sipër janë bisedimet me vetëqeverisjet lokale për hapjen e oborreve të disa shkollave fillore dhe të mesme si parkingje gjatë verës.

“SPB Tetovë për shkak të periudhës së ardhshme të kthimit të mërgimtarëve tanë dhe rritjes së pritshme të frekuencës së trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe tollovinë në trafik, të jenë të ndërgjegjshëm dhe të kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, tha Rexhepi.

Raportet Komunë e Tetovës – SPB Tetovë nuk janë të mira. Këto dy institucione së fundmi janë përplasur disa herë me njëra tjetrën për disa çështje përfshirë edhe atë të komunikacionit.

Përndryshe, zgjidhje konkrete për kaosin në trafik në Tetovë nuk ka me vite. Problem mbetet mungesa e vendeve të parkimit si dhe parkimi vend e pa vend i qytetarëve dhe shpesh mos marrja e masave ndaj tyre. Autoritete pavarësisht se me vite të tëra kanë premtuar, zgjidhje nuk ka ende.