Tetovën e pret edhe një verë kaotike në trafik, Policia dhe Komuna pa koordinim

Kaosi në trafik në Tetovë është bërë përditshmëri e qytetarëve, ky kaos shtohet më shumë gjatë muajit korrik dhe gusht, kur edhe vijnë mërgimtarët dhe numri i veturave rritet ndjeshëm. Për këtë problem, dje në seancën e pyetjeve të këshilltarëve, u ngrit kjo çështje. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se nuk është vetëm komuna përgjegjëse dhe se policia nuk bashkëpunon sa duhet në këtë drejtim, dhe se policia pengon me prapavija politike. Ministri i Brendshëm sot nga Tetova tha se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe se MPB-ja nuk është institucion që udhëheq politikë, shkruan Portalb.mk.

Kaosi në komunikacion në Tetovë ditëve të fundit sa shkon e shtohet, ndërsa institucionet nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët në këtë drejtim për zgjidhjen e problemit.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke folur mbi këtë temë tha se policia nuk i sheh si bashkëpunëtorë por i sheh si kundërshtarë.

Bilall Kasami në seancën e pyetjeve të këshilltarëve komunal (04.07.2023). Foto: Faqja zyrtare në Facebook e Besar Durmishit
Bilall Kasami në seancën e pyetjeve të këshilltarëve komunal (04.07.2023). Foto: Faqja zyrtare në Facebook e Besar Durmishit

“Fatkeqësisht këtu ka ngjyrime politike ku u pa edhe reagimi i disa aktivistëve disa politikanëve në një situatë të inskenuar ku policia urdhëron që të bllokohet apo largohet vetura e vetë ndërmarrjes. Në këtë rast, policia nuk do ta rregullojë qytetin ashtu si ne duam, duan këtë kaos sepse ashtu janë mësuar të punojnë”, tha Kasami.

Ai shton se kjo, bëhet me prapavi politike, që ata të pengohen dhe pastaj të akuzohen pse nuk i zgjidhin punët.

“Kush e ndal policinë të largojë veturat e parkuara gjatë gjithë bulevardit “Ilinden”, nuk ka vendparkime aty, është përgjegjësi pastër e policisë. Dhe gjithandej në qytet ku ndodh ky kaos, kur do ti largojë policia veturat – ne u siguruam merimanga, kur do ti largojë policia veturat nga parkimi ku nuk janë të përcaktuara për vendparkime atëherë do të paraqitet nevoja edhe e investitorëve privat për të ndërtuar parkingje private”, theksoi Kasami.

Ai theksoi se për shkak të ndryshimit të pushtetit lokal nga zgjedhjet e fundit, Qeveria iniciativën për polici komunale e ka bllokuar në sirtar të saj. Ai nënvizoi se përgjegjësia duhet të jetë e përbashkët, ku ata kërkojnë që mos të pengohen.

“Dy vite do të bëjmë në pushtet lokal dhe ajo iniciativë nuk është askund, që të marrim ne përgjegjësinë edhe të operimit dhe por edhe pjesës së intervenimit që duhet një lloj policie, në këtë rast polica e shtetit nuk intervenon dhe duhet polici komunale e cila fatkeqësisht nuk ka zgjidhje ligjore”, tha Kasami mes tjerash.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm – Oliver Spasovski sot ishte në Tetovë në takim me qytetarët për problemet e tyre. Ai nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve në lidhje me problemin e mosbashkëpunimit në mes Komunës së Tetovës dhe Policisë së Tetovës.

Spasovski thotë se bashkëpunimi mund të përmirësohet, por që ky institucion nuk udhëheqë politikë. Mes tjerash ai thotë se Komuna duhet të krijojë zgjidhje të reja në komunikacion që janë nën ingerencë të saj.

Oliver Spasovski - ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Shërbimet e merimangës punojnë me dy turne çdo ditë, që shërbimi merimangë të funksionojë – duhet të kenë punonjës policie, ata punojnë së bashku me punonjësit e policisë që janë në terren. A mund të përmirësohet? Sigurisht që është e mundur të përmirësohet komunikimi dhe bashkëpunimi, të propozohen masa, të propozohen zgjidhje të reja të komunikacionit – të cilat janë përgjegjësi e komunës, të vihet sinjalistika horizontale, të vendoset sinjalistikë e re vertikale, të bëhen hapësira të reja parkimi e kështu me radhë. Të gjithë këtë do ta mbështesim nga ana profesionale dhe kjo është më e rëndësishmja për qytetarët. Pra, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, ky është një institucion që nuk udhëheq politikë, por kujdeset për sigurinë dhe mendoj se kur është fjala për sigurinë e qytetarëve, të gjithë duhet të jemi të fokusuar në këtë temë, kështu që politika nuk mund të udhëheqë këtu”, tha Spasovski.

Përndryshe, nuk ka zgjidhje konkrete për kaosin në trafik as për këtë sezon.

Numri i veturave të regjistruara me targa të Tetovës është mbi 32 mijë, ndërsa shtuar numrin e veturave me të cilat vijnë mërgimtarët, gjatë verës ka dukshëm më shumë vetura.

Problem mbetet mungesa e vendeve të parkimit si dhe parkimi vend e pa vend i qytetarëve dhe mos marrja e masave ndaj tyre.

Për të zbutur sadopak këtë problem, oborret e katër shkollave janë shndërruar në parking deri sa të fillojë viti shkollor.

Kujtojmë se Komuna e Tetovës nuk arriti ta realizojë në tërësi planin për krijimin e parkingjeve në vitin 2022, komuna realizoi vetëm 7 përqind të planit.