Tetovë, Komuna u mor në pyetje nga këshilltarët komunal (Video)

Udhëheqësit e sektorëve dhe ndërmarrjeve publike, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, sot u morën në pyetje nga ana e këshilltarëve komunal në lidhje me problemet e komunës në seancën e caktuar vetëm për këtë pikë, shkruan Portalb.mk.

Këshilltarët deri te kryetari, udhëheqësit dhe sektorët kompetent parashtruan pyetjet e tyre në lidhje me mbeturinat, ndërtimet pa leje, parkingjet, ujësjellësin, rrugët, borxhin, qentë endacakë, uzurpimet, parqet, çerdhet dhe shumë problematika të tjera që prekin jetët e qytetarëve çdo ditë.

Për këto problematika, Portalb.mk në ditët në vijim do të shpalos veç e veç se çfarë u tha për çështjet më kryesore.

Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi tha se kjo seancë e veçantë është e para e këtij formati në Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës – pyetje nga këshilltarët të cilët nuk munden gjatë seancave të punës t’i parashtrojnë.

“E dimë që ndodhën për herë të parë, lëshime teknike mund të ketë, por të gjithë këshilltarët dhe administrata e Komunës në seancat tjera që do t’i kenë në vitin e ardhshëm do të jenë më të përgatitur. Ishte ky format i tillë me të vetmen arsye që të gjithë udhëheqësit e sektorëve dhe të ndërmarrjeve bashkë me ekipet e tyre të jenë përpara këshilltarëve dhe të japin përgjigje dhe llogaridhënie dhe transparencë”, tha Durmishi.

Durmishi i pyetur nga Portalb.mk, theksoi se do shihen mundësitë që diçka e ngjajshme të organizohet edhe për gazetarët.

Liridon Disha, këshilltar nga BDI në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Liridon Disha, këshilltar nga BDI në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Liridon Disha, duke folur në emër të këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, theksoi se ata gjykojnë që për dy vjet, kryetari i komunës nuk ka realizuar premtimet ed dhëna por e ka shndërruar komunën në seli të Lëvizjes Besa.

“Komuna e Tetovës sot për transparencë është në listë e fundit në rajon. Investimet kapitale janë zero dhe tentativat e kryetarit të Komunës për tu nxjerrë nga situata me projektet që i ka gjetur të gatshme nga udhëheqësia e kaluar janë dëshmi e qartë se për këto dy vite, ai nuk ka pasur as vizion e as qëllim ta ndërtojë Tetovën, por përkundrazi me veprimet e tij nepotike e korruptive, e ka shndërruar Tetovën në burim financiar të grupeve të interesit të afërta me Lëvizjen Besa”, tha Disha.

Të gjithë seancën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë: