Komuna e Tetovës miratoi buxhetin prej 31 milionë eurosh për vitin 2024

Sot, në sallën e Këshillit të Komunës së Tetovës, u mbajt seanca e fundit për këtë vit, e cila u përqendrua kryesisht në miratimin e buxhetit për vitin 2024. Këshilli i Komunës, me 17 vota për, miratoi një buxhet prej 31.086.000 eurosh, shënuar nga një rritje prej 4 milion eurosh në krahasim me vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Kryetari Bilall Kasami dhe Këshilltaret u shprehën se buxheti është një përgjigje e përshtatshme ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Tetovës.

Sektori i urbanizmit do të përfitojë nga një shumë prej 6 milion denarë për planet detale urbanistike, ndërsa inspektorati komunal dhe strehimorja për qent endacak do të kenë në dispozicion nga 4 milion denarë secili. Gjithashtu, një shumë prej 6 milion denarë do të destinohen për pagesë të shpronësimit të pronave private për zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

Pjesë e buxhetit është edhe një projekt i kooperimit me Qendrën për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar (CMSR) dhe që ka të bëjë me rikonstruksionin e tubacionit të ujësjellësit në Tetovë. Ky projekt synon të rregullojë humbjet e ujit dhe të përmirësojë cilësinë e tij.

Në një nismë për të kursyer resurset natyrore, janë ndarë 10 milion denarë për vendosjen e murit mbajtës në lumin Shkumbin, duke ndjekur suksesin e projektit të ngjashëm në Banjën e Tetovës.

Në fushën e zhvillimit ekonomik, komuna ka ndarë 14.500.000 denarë për projektin e rrugës së butiqeve, duke bashkëpunuar me IPA Fondet. Poashtu edhe për sektorin e arsimit, kulturës, sportit dhe nxitjen e turizmit, buxheti është i pasuruar me fonde të mjaftueshme.