Ramë Lahaj këndoi “bishtalecat…” përkrah kompozitorëve më të famshëm në “Teatro Verde” të Padovës

Përveç se është bërë urë lidhëse e emrave të njohur në botë me festivalin e tij që e mban në Prishtinë, Ramë Lahaj tashmë po kontribuon që këngët shqipe të njihen nëpër botë, duke i performuar ato në skena prestigjioze botërore, sivjet në Padova në koncertin e Vitit të Ri, ndërsa vjet në Hamburg, njofton Portalb.mk.

Ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare ngelen artistët, sidomos ata që i kanë kaluar kufijtë dhe kanë bërë që të dëgjohet për identitetin kulturor tonin. Këngët shqipe janë të dashura, madje shumë shpesh këndohen dhe nga të huajt, por edhe në raste si këto kur duhet të këndohen në koncerte krahas kompozitorëve më të njohur të botës dhe këngëve më të njohura e të rëndësishme, Ramë Lahaj, tenori i njohur ndërkombëtarisht bën që kënga shqipe të mos mungojë.

Kësaj radhe në Teatrin Verdi të Italisë me rastin e Vitit të Ri si pjesë e koncertit klasik që e kanë të zhvilluar si traditë vendet me kulturë muzikore Ramë Lahaj solli këngën “Bishtalecat palë-palë”.

Në profilin e tij në Facebook ai shprehet: “Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur muzika shqipe udhëton nga një shtet në tjetrin, e nga një orkestër në tjetrën. Ajo për ditë pasurohet bashkë me kulturën e vlerat tona. Në koncertin e Vitit të Ri në Teatro Verde në Padova, muzika shqipe buçet mes kompozitorëve të mëdhenj… Gëzuar miq”.

Të njëjtën këngë para një viti Ramë Lahaj e këndoi në skenën më të rëndësishme të muzikës klasike në Elbphilharmonie të Hamburgu në koncertin që mbajti përkrah tenorit me famë botërore Placido Domingon , gjithashtu dhe në Turqi. Ngelet edhe më tej një ëndërr e tija për t’i dhuruar botës këngët më të bukura që kemi dhe njëkohësisht të na bëjë krenarë duke na përfaqësuar denjësisht me zërin e tij të mrekullueshëm.

Këtu mund ta shikoni performancën e tij në Hamburg.