Në vitet ’90, na dukej sikur këngët e Bob Dylanit flisnin për kohën e turbullt që jetonim. Sot, ato duken sikur flasin për realitetin që po jetojmë.
Në këngët e protestës, Dylani shmangu qëllimisht gjuhën e mbingarkuar me figuracion, që zëri i tij të kuptohej nga publiku më i gjerë.
Këngën “Zotat e luftës”, një protestë artistike kundër përfituesve nga konfliktet e luftërat e krijoi në klimën e Luftës së Ftohtë.
Dylani i sfidoi estetikisht prijësit hipokritë dhe të papërgjegjshëm, të cilët, pavarësisht se kanë pushtet, pasuri dhe ndikim, s’mund ta shpëtojnë apo ta riblejnë shpirtin.
Vdekjen s’mund ta kontestojë askush, por secili ka përgjegjësi për vendimet e tij, që mund të dëmtojnë breza të tërë.
Dylani nuk kishte iluzione se do t’i ndryshonte vendimet e prijësve të luftës, që fshihen pas mureve e tryezave, por ua bënte me dije se nuk ishte naiv dhe i njihte qëllimet e tyre, pavarësisht nga maskat që mbanin.
“Ju që kurrë s’bëtë hiçgjë / Përveç gjërave që shkatërrojnë / Ju luani me botën time / Si të ish një lodër e vockël juaja / E ma lëshoni pushkën në dorë / Dhe i shmangeni shikimit tim / Me të filluar plumbat të fluturojnë / Ktheheni e ikni me nxitim / Ngjashëm si Juda i qëmoçëm / Gënjeni dhe mashtroni / Se lufta botërore mund të fitohet”. (Përktheu: Ben Apolloni)
Prijësit, që duan t’u besojmë verbërisht, luftojnë me gjakun e huaj dhe fshihen në vila luksoze, derisa “gjaku i rinisë së artë rrjedh prej trupit e përzihet me baltë”.
“Kohërat po ndryshojnë” është një këngë tjetër e njohur e Bob Dylanit. Është një kritikë ndaj një rendi shoqëror që plakej, por edhe një thirrje artistike që të pranohej ndryshimi i sjellë nga brezi i ri, përderisa brezi i vjetër, i formuar me kode të tjera morale, jo vetëm që nuk e kuptonte, por bëhej edhe pengesë, ndonëse rezistenca ishte e kotë.
Dylani e kritikoi ngurtësinë e shtresës intelektuale:
“Shkrimtarë dhe kritikë / që me pendë bëni profeci / këtu ejani, / bëni sytë katër / sepse erdhi shansi juaj, / fjalët që thoni matni mirë / a nuk e shihni që bota po vërtitet / dhe nuk dihet se në emrin / e kujt do të ndalojë / ai që ka humbur sot / nesër do të fitojë / sepse kohët po ndryshojnë?” (Përktheu: Ben Apolloni)
E kritikoi edhe rezistencën e politikanëve:
“Senatorë dhe kongresmenë / ju lus që ta dëgjoni këtë thirrje / aty tek dera mos qëndroni / kalimin tutje mos e bllokoni, / ai që sot lëndohet / nuk do të mund të shërohet, / atje jashtë seç ka një luftë / nga dridhjet dritaret do t’ua shkund / edhe muret do t’jua plasaritë / sepse siç e shihni / kohët po ndryshojnë.”
Por edhe të prindërve:
“Ju lus që mos të kritikoni / atë që dot s’mund ta kuptoni, / siç e shihni bijtë dhe bijat tuaja / më nuk mund t’i komandoni / idetë tuaja të vjetra / ndjeshëm po dalin nga moda, / ju lus që këtë rrugë të re ta merrni / dhe të reflektoni / sepse kohët po ndryshojnë.”
Bob Dylani ishte i bindur se kjo hierarki do të rrënohej dhe, herët a vonë, do të zëvendësohej nga një botë e re.
“Kjo hierarki po rrënohet / e po shembet shpejtazi, / ai që sot është i pari / nesër krejt i fundit do të jetë / sepse kohët, po, / kohët po ndryshojnë…”
Bob Dylani u frymëzua nga zhvillimet e kohës, por vargjet e tij janë të gjithëkohshme, prandaj komunikojnë me njerëz epokash dhe hapësirash të ndryshme gjeografike.
Poezitë e tij do të jenë aktuale, përderisa ka hyjni të luftës dhe pengues të lindjes së një epoke të re, të projektuar nga ata që synojnë një jetë më të mirë për të gjithë, pa mëtimin për t’u bërë zotërues të lirive të të tjerëve.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.