Tetova po e mbyll edhe një sezon të ngrohjes me ndotje të ajrit, ankesa për ndotje afër shkollës ‘Liria’ (Video)
Sezoni i ngrohjes pritet të përfundojë edhe pak ditë, ndërsa Tetova as kësaj here nuk shpëtoi nga ajri i ndotur. Në prag të përfundimit të sezonit të ngrohjes, disa qytetarë të Tetovës shprehin shqetësime për ndotjen e ajrit, me theks të veçantë në hapsirën te shkolla fillore ‘Liria’, shkruan Portalb.mk.
Një banor i cili edhe punon pranë Shkollës Fillore “Liria” i tha Portalbit se çdo mëngjes e pret pamja tronditëse ku oxhaku i shkollës lëshon tym të dendur e të zi, që sipas tij vjen nga lëndët djegëse të dyshimta që përdoren për ngrohje.
“Era e rëndë dhe ajri i ndotur më shoqërojnë gjatë gjithë ditës, por ajo që më shqetëson më së shumti është se pikërisht ngjitur me këtë oxhak ndodhet fusha e sportit të shkollës. Aty fëmijët e vegjël zhvillojnë orët e edukimit fizik, duke marrë frymë thellë mes tymit dhe grimcave të dëmshme”, tha ai.
Ai thotë se është e papranueshme që shëndeti i brezit të ri të rrezikohet kështu në emër të ngrohjes së mjediseve shkollore dhe se institucionet përkatëse duhet të marrin masa urgjente për të zëvendësuar sistemin e vjetruar të ngrohjes me alternativa të pastra.
Edhe një qytetare tjetër na tha se është e njoftuar me këtë problem.
“Po, ka ndotje, disa herë e kam ndjerë erën e keqe, nuk e di nga ku dhe çfarë vjen saktë se këtu te ne gjithandej është ndotje”, tha ajo.
Megjithatë, ka edhe qytetarë tjerë të cilët thonë se nuk janë të njoftuar me këtë problem.
“Nuk besoj se del ashtu tymi nga shkolla, nuk e paskam vërejtur”, na tha një mësuese e shkollës ‘Liria’.
Edhe një qytetar tjetër i cili punon në afërsi të shkollës tha se “nuk kam vërejtur diçka nga zyra ku punoj”.
Drejtoresha e shkollës ‘Liria’, Fahrije Idrizi Kasami i tha Portalbit se këto ankesa janë të pabaza.
“Shkolla jonë ngrohet me naftë dhe funksionon në përputhje me standardet përkatëse, pa përdorur materiale që do të shkaktonin tym të dëmshëm apo erë të pakëndshme. Ne jemi të përkushtuar për të siguruar një ambient të shëndetshëm dhe të sigurt për nxënësit dhe stafin”, tha Idrizi Kasami.
Pyetëm edhe nëse ka pasur ndonjë ankesë në Inspektoratin Komunal, por nga Komuna e Tetovës shkurt na njoftuan:
“Asnjë ankesë nuk ka ardhur për këtë problematikë”.
Kujtojmë që edhe këtë sezon të ngrohjes, ashtu edhe si vitet e mëparshme Tetova nuk mbeti pas sa i takon ndotjes së ajrit.
Gjatë sezonit të ngrohjes problemi thellohet më tepër për shkak të lëndëve djegëse në amvisëri, ndërsa ndotja më e madhe paraqitet gjatë mbrëmjeve ose në ditët me temperatura më të ulëta.
Vlerat mesatare e grimcave ditore të PM10 pragu i së cilave është 50 mikrogramë për metër kub (μg/m3) dhe vlera mesatare e grimcave PM2.5 pragu i së cilave është 25 μg/m3, shpesh janë tejkaluar në masë të madhe.
Që problemi nuk po zgjidhet me vite, këtë e tregojnë shifrat e ndotjes, të cilat çdo vit gjatë muajve nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt arrijnë kulmin.

Që ndotja e ajrit është alarmante dhe serioze e konfirmojnë edhe raportet vendase dhe ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet me numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur.
Vitin e kaluar Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se brenda një viti pati 3583 vdekje për shkak të ajrit të ndotur. Këto të dhëna tregojnë se ndotja e ajrit është kërcënim real dha ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
- LEXO: Sezoni i ngrohjes, dimri i ‘vdekjes’: Tetova me vite nën ajër të ndotur (Infografik)
- LEXO: Sezoni i ri i ngrohjes me problemin e vjetër të ndotjes së ajrit: Në Tetovë filloi të kundërmojë erë e djegur (Infografik)
- LEXO: Çdo dimër më i rëndë, Tetova nën smog: Shëndeti i qytetarëve nën kërcënim, institucionet me vite në gjumë
- LEXO: Tetova helmohet nga ajri i ndotur, shifrat janë alarmante ndërsa institucionet rinë duarkryq (Infografik)