Gjykata Kushtetuese formoi lëndë për kontestimin e protokollit të dytë midis RMV-së dhe Bullgarisë

Gjykata Kushtetuese ka formuar rast me të cilin kontestohet Protokolli i takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë, i miratuar më 17.07.2022 në Sofje. Është duke u zhvilluar një procedurë paraprake në të cilën shqyrtohen të dhënat dhe njoftimet e nevojshme për marrjen e një vendimi. Parashtruesja e iniciativës është Liljana Popovska, transmeton Portalb.mk.

“Paraqitësja e iniciativës deklaron se Protokolli i kontestuar shkel nenin 8, paragrafi 1, alinetë 1, 2 dhe 11 të Kushtetutës dhe pretendon se ka formë dhe përmbajtje të papërshtatshme, se del jashtë kornizës së një akti juridik që merret me një nen të një Marrëveshjeje midis dy vendeve dhe prodhon efekte të dëmshme për çështjet e identitetit për popullin, gjuhën dhe shtetin maqedonas. Sipas iniciativës, Protokolli është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse nuk është ratifikuar nga Parlamenti, nuk është botuar brenda afatit të caktuar kushtetues në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për më tepër, pretendohet se është në kundërshtim me nenet 6-16, 19, 20 dhe 26 të Ligjit për Lidhjen, Ratifikimin dhe Ekzekutimin e Traktateve Ndërkombëtare, sepse nuk është respektuar procedura për negocimin, miratimin nga Qeveria dhe nënshkrimin e tij”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Parashtruesja kërkon anulimin e Protokollit dhe deklaron se anulimi është i justifikuar në përputhje me Konventën e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (1969), e cila lejon anulimin në rastet kur është në kundërshtim me normën urdhëruese të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme, të cilën ajo e interpreton edhe në këtë rast.

Iniciativa deklaron se Protokolli nuk është një akt i plotë i konfirmuar nga Parlamenti, por mbetet vetëm procesverbali i një takimi të një Komisioni Ndërqeveritar.
Pretendohet se ndryshe nga procedura e zbatuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila vlerësohet si jotransparente dhe me mangësi, Komisioni Parlamentar Bullgar diskutoi tekstin e Protokollit që më 23 qershor 2022, një muaj para se Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve ta nënshkruanin Protokollin, dhe më pas, në një seancë më 24 qershor 2022, miratoi të gjithë paketën e propozimit francez për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut me Protokollin të përfshirë në mënyrë implicite.

Kujtojmë se Protokolli u nënshkrua më 17 korrik 2022 në Sofje midis ministrave të punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska.

Nënshkrimi i Protokollit me Bullgarinë.Bujar Osmani - Teodora Gençovska, Foto: MPJ
Nënshkrimi i Protokollit me Bullgarinë.
Bujar Osmani – Teodora Gençovska, Foto: MPJ

Krahas ministrit Osmani, në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishin zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, si dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

Nënshkrimi i protokollit dhe mbajtja e takimit të komisionit ndërqeveritar pasojnë pasi paraprakisgt propozimi francez u aprovua nga ana e Qeverisë pas miratimit të konkluzioneve në Kuvend.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor 2022, pas së cilës ish-kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.