Nga monografia e profesor Ali Vishkos për Teqen Harabati Baba të Tetovës, mund të mësojmë të kaluarën e lavdishme dhe të dhimbshme njëkohësisht të një tempulli të rrallë fetar. Sipas të dhënave të historianit të shquar, teqeja në fjalë, që me themelimin e saj në vitin 1540 nga tetovari Sersem Ali Dede (poeti, filozofi, teologu dhe kryegjyshi i bektashizmës), ka luajtur rol të rëndësishëm, veçmas kur Tetova u ngritë në rangun e Pashallëkut, të drejtuar nga feudalët dhe pasanikët e kohës.
Teqeja gëlltiti tërë pasurinë e themeluesit të saj, por kjo s’ishte gjë për njeriun që solli nga Stambolli 15 dervishë dhe nisi predikimet, duke tubuar rreth vetes poetë dhe njerëz të ditur të kohës, që e shndërruan atë në një shkollë popullore e kombëtare.
Sersem Ali Dede, që kishte titullin e vezirit, nuk e ndau kurrë nga vetja faltoren, të cilës i shërbeu me tërë mundësitë që pati. Më vonë tempulli u emërua “Teqe Harabati”, sipas emrit të Babait të saj të dytë me radhë – Mehmet Harabati Baba.
Gjithnjë sipas të dhënave të Ali Vishkos, në periudha të ndryshme kohore, Teqeja u dhunua dhe e pushoi disa herë aktivitetin, për t’u ringjallur përherë nga hiri i vet. Pas dëmtimeve të shkaktuara gjatë shekujve shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, Harabati u zgjerua me disa objekte përcjellëse nga pashallarët tetovarë. U pasurua me prona të shumta tokësore e vakëfe, me qëllim që objekti dhe klerikët të mirëmbaheshin me veprimtaritë e veta. Kjo e ngriti atë në nivelin e gjyshatës dhe e bëri qendër përfaqësuese të Pashallëkut të Tetovës, që asokohe gëzonte njëfarë autonomie.
Në kohën e Tanzimatit, kur Harabati u bë çerdhja e kryengritësve të Dervish Carës, u ndërmorrën shumë ndëshkime ndaj klerikëve bektashinj, me akuzën se ishin ithtarë të separatizmit. Terrori dhe ndjekjet e vazhdueshme bënë që klerikët ta braktisin Teqen, gjë që ua mundësoi individëve të pandërgjegjshëm nga radhët e bejlerëve të vendit grabitjen e pronave të saj, pa çka se bëmat e tyre ishin në kundërshtim me parimet fetare.
Më vonë, pronat e keqpërdorura dhe e uzurpuara u kthye nga Baba Emini, i cili, me kursimet e Teqes, bleu 15 dyqane në Tetovë, 1 han në Shkup dhe prona të reja tokësore.
Veprimtaria e Teqes u ndërpre edhe gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, kur sërish iu grabitën vakëfet dhe dyqanet.
Në vitin 1941, dervishi Qazim Bakalli nga Gjakova u dërgua nga Elbasani në Tetovë, për të rikthyer pronat e uzurpuara dhunshëm. Përpjekjet qenë të kota, sepse në brendi të Teqesë italianët instaluan artilerinë kundërajrore. Teqja Harabati Baba u dëmtua dhe u dhunua në mënyrë tepër të vrazhdtë. Kjo e detyroi Qazim Bakallin të ikë përkohësisht nga Tetova, ku u kthye sërish pas një kohe me titullin baba. Kësaj here pati fat dhe i hyri menjëherë punës rreth meremetimit të objekteve të dëmtuara. Baba Qazimi solli nga Tirana 1.600 metra qynka ujësjellëse prej hekuri dhe e bëri Teqen me ujë të bollshëm për pije dhe nevoja të tjera.
Mjerisht, pas vitit 1948, kur të gjithë menduan se morrën fund vuajtjet e besimtarëve bektashinj, Teqja Harabati dhe pasuritë e saj të tundshme dhe të patundshme, u uzurpuan nga organizatat punuese të monizmit dhe u shndërrua në kompleks hotelerik, në qendër biznesi për çakërqejfe turlifare…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.