Telegrami si laborator i propagandës dhe urrejtjes

Platformat e mediave sociale janë kthyer në fushëbeteja për ndikim në opinionin publik, shpesh më shumë për propagandë sesa për informim të drejtë. Ato po shfrytëzohen për të përhapur qëllimisht dezinformata, sidomos në rajone të brishta, ku tensionet etnike dhe pasiguria politike krijojnë terren të përshtatshëm për manipulim, shkruan Sbunker. 

Një nga këto pika kritike është veriu i Kosovës, për shkak të kontekstit socio-politik, që tashmë ka hyrë në radarët e platformave si Telegram për përhapje të narrativave të rreme dhe mobilizim të ndjenjave nacionaliste.

Duke përdorur metoda të inteligjencës nga burimet e hapura (OSINT), ky hulumtim analizon kanalet dhe përmbajtjen e Telegramit që ka cak këtë rajon.

Duke ndjekur përmbajtjet e shpërndara përmes Telegramit dhe ndërveprimin me rrjete të tjera sociale, janë identifikuar fushata të mirë-koordinuara, që përhapin narrativa të fabrikuara, të cilat synojnë thellimin e përçarjeve ndëretnike, diskreditimin e institucioneve të Kosovës dhe legjitimimin e një narracioni alternativ historik, kryesisht nga burime serbe dhe ruse.

Hulumtimi mbështetet në analizën sistematike të materialeve, postimeve dhe komenteve të mbledhura në periudhën e fundit trevjeçare.

Katër komunat veriore që kufizohen me Serbinë, të banuara kryesisht nga serbë etnikë, kanë qenë për dekada zonat më të tensionuara pas luftës së vitit 1999. Me gjithë përpjekjet institucionale për integrim, ky rajon ka mbetur i fragmentuar dhe i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht në epokën e digjitalizimit dhe informimit të pakontrolluar.

Për shkak të anonimitetit, mungesës së moderimit dhe teknologjisë së mbrojtur të komunikimit, Telegrami është shndërruar në një nga mjetet kryesore nga akterët e dezinformimit. Aty ndërtohen narrativat nacionaliste, promovohet retorikë anti-perëndimore dhe shpërndahen mesazhe që nxisin urrejtje etnike e dhunë.

Kanalet serbe dhe ruse kanë rritur aktivitetin vitet e fundit, duke kthyer vëmendjen kah Kosova posaçërisht në kohë tensionesh, krahas luftës në Ukrainë. Sipas të dhënave të analizuara, më shumë se gjysmë milioni përdorues ndjekin kanalet pro-serbe dhe pro-ruse në Telegram, që targetojnë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Ndër kanalet me ndikimin më të madh në Kosovë janë: “Bunt Je Stanje Duha” (Rebelimi është një gjendje shpirtërore)”, “Korridor”, “Bunker”, “Slovenski Medved” (Ariu slloven) dhe “Srpska Sparta” (Sparta serbe).

Këto kanale nuk janë thjesht burime lajmesh alternative, por instrumente strategjike për dezinformim dhe radikalizim, ku shpërndahen përmbajtje të sinkronizuara anti-NATO dhe anti-BE, me synimin që nxisin ndjenjën e viktimizimit historik serb. Po ashtu, këto kanale shërbejnë si platforma për t’i  kërcënuar serbët që bashkëpunojnë me institucionet kosovare, duke i akuzuar për “tradhti”.

Linçim dhe thirrje direkte për dhunë 

Një shembull konkret i këtyre fushatave është kanali “Korridor”, që operon në veriun e Kosovës dhe shërben si nxitës i sulmeve të koordinuara kundër individëve, institucioneve, veçmas atyre të sigurisë, si dhe nismave që promovojnë bashkëpunimin ndëretnik.

Me mbi 10 mijë ndjekës, “Korridor” shpërndan imazhe dhe mesazhe me përmbajtje të qartë kërcënuese. “Korridor” ka përmbajtje nacionaliste serbe, gjykuar nga publikimet në gjuhën serbe dhe narrativat që i promovon për Kosovën.

Në një prej postimeve shfaqet fotografia e një oficeri të armatosur të policisë në Kosovë, me përshkrimin: “Sa do të doja të gjuaja çdo plumb në shënjestër”.

Kjo nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë është shpërndarë gjerësisht dhe ka marrë mijëra reagime, shumë prej tyre mbështetëse.

Narrativa ndërtohet mbi elemente të forta nacionaliste, duke përdorur referenca nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS), i cili njihet për qëndrime propagandistike kundër Kosovës.

Komentet janë një përzierje toksike mes nacionalizmit, urrejtjes dhe thirrjeve të hapura për dhunë. Serbët e Kosovës që punojnë për policinë etiketohen si tradhtarë, dehumanizohen dhe kërcënohen me vrasje brutale.

Etiketimi i policit është “tradhtar” dhe “jo një serb i vërtetë”, duke e akuzuar atë se punon për institucionet e Kosovës.

Për më tepër, në komente ekzistojnë edhe referenca të rrezikshme historike si “Operacioni Stuhia”, duke shpërfaqur dëshirë për hakmarrje e dhunë.

Ndërsa termi “Kosova (rajoni)” në vend të thjesht “Kosova” është në linjë me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës.

Referuar kontekstit të tensioneve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve nacionaliste serbe, veçmas në tre vjetët e fundit, postimet e tilla kontribuojnë në radikalizëm dhe dhunë potenciale. Kornizimi si një objektiv qitjeje është i rrezikshëm, pasi policia është reaguesi i parë në operacionet kundër aktiviteteve të paligjshme.

Komenti “Džukela, nije to srbin” (Ai qen nuk është serb) shpërfaq dehumanizimin e oficerit, duke aluduar në atë se të qenët pjesë e Policisë në Kosovë e zhvesh atë nga identiteti serb.

Komenti tjetër “Na današnji dan u ovoj terorističkoj uniformi i sa hrvatskom puškom” (Në këtë ditë, në këtë uniformë terroriste dhe me një pushkë kroate), e etiketon Policinë e Kosovës “terroriste” dhe e ndërlidh atë me kinse armatosje nga shteti kroat, që në disa raste portretizohet si aleat i Kosovës kundër Serbisë.

Madje, disa prej tyre kërcënojnë direkt me vrasje zyrtarin e policisë.

Komenti “Voleo Bih da mu mu kundakom Lobanju smrvim” (Unë do të doja të shkatërroja kafkën e tij me kondak pushke) tregon dëshirën për ekzekutim brutal.

Fushata kundër Policisë së Kosovës u intensifikua pas nëntorit të vitit 2022, kur serbët u dorëhoqën nga PK-ja. Grupe që kanë mijëra anëtarë i kanë cilësuar si tradhtarë rekrutët e tjerë serbë që pranuan t’i bashkohen Policisë së Kosovës (PK). Kanali tjetër në Telegram, “Bunker”, ua kishte publikuar fotografitë dhe të dhënat personale policëve nga Leposaviqi, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut. Veç publikimit të të dhënave, aty janë kritikuar edhe organizatat ndërkombëtare dhe diplomatët e huaj në Kosovë, që kërkuan ndaljen e fushatës linçuese ndaj serbëve.

Në raste të tjera, postohen fotografi të qytetarëve të rëndomtë, të cilët akuzohen për bashkëpunim me autoritetet kosovare, duke nxitur përdoruesit e Telegramit të shfryjnë urrejtjen ndaj “tradhtarëve” dhe “bashkëpunëtorëve të pretenduar të institucioneve të Kosovës”.

Në një prej postimeve më 24 mars 2025 thuhet se një qytetar nga Zemanica ka informuar Policinë e Kosovës për rrugë alternative që përdoren për kontrabandë nga Serbia dhe se informacionin ua ka dërguar Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Rruga alternative e përmendur në postim thuhet se është shfrytëzuar për t’u lidhur me territorin e Serbisë. Pretendimi sugjeron se ky qytetar ka dhënë informacione të cilat kanë ndihmuar autoritetet e Kosovës t’i bllokojnë rrugët e paligjshme që përdoreshin nga grupet kriminale.

Sipas autoriteteve të Kosovës, këto rrugë janë shfrytëzuar për kontrabandë të paligjshme, lëvizje paraushtarake dhe aktivitete të tjera që e sfidojnë rendin e Kosovës.

Një tjetër tradhtar është shtuar në listë!”, shkruan në fund të postimit. Kjo nënkupton se ekziston një listë e “tradhtarëve” që monitorohen në kanalet e Telegramit, rrezik ky që mund të çojë në sulme fizike kundër tyre. Historikisht, mesazhe të tilla janë përçuar për të justifikuar dhunën ose përjashtimin shoqëror kundër serbëve që bashkëpunojnë me institucionet që nuk i njeh Serbia. Grupet nacionaliste serbe në Telegram e shohin bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës si tradhti, pasi ende e konsiderojnë atë si pjesë të Serbisë.

Ky demonizim i bashkëpunëtorëve lokalë është pjesë e strategjisë për të frikësuar komunitetin serb në veri dhe për të frenuar çfarëdo forme integrimi të tyre. Komentet që pasojnë postimet janë dëshmi e një retorike ekstreme, me kërcënime për dhunë, vrasje dhe referenca për “spastrime të reja”.

Prodao se Šiptarima” (Ai u shit te shqiptarët), “Smeće špijunsko, seme ti se zatrlo!” (Spiun plehër, u zhduktë prejardhja juaj!); “Na kojoj si granici izrode, sa kime se graničiš?” (Në cilin kufi je ti, o tradhtar? Me kë kufizohesh?)” – janë disa prej komenteve drejtuar qytetarit serb.

Në disa të tjera bëhet thirrje direkte për vrasjen e tij: “Biće likvidacije uskoro…” (Do të ketë një vrasje së shpejti…). “Një thikë natën. Nëse jo atij, atëherë nënës, babait dhe të tjerëve“, është komenti tjetër kërcënues ndaj gjithë familjes.

Disa komente përforcojnë nacionalizmin ortodoks serb, duke thënë se ky serb e ka braktisur besimin ortodoks serb me pretendimin se tradhtia ndaj Serbisë është e njëjtë me braktisjen e fesë.

BUNT – Qendra e ekosistemit propagandistik 

Një tjetër kanal me ndikim të jashtëzakonshëm është “Bunt Je Stanje Duha, i drejtuar nga Dejan Berić, një vullnetar serb në ushtrinë ruse.

Ai u krijua në vitin 2020, fillimisht me emrin “Bunt Montenegro”, më pas u riemërua në “BUNT je Stanje Duha”. Kjo sugjeron se fokusi fillestar ishte në Malin e Zi, ku synohej audienca pro-serbe malazeze.

Numri i përdoruesve të këtij kanali u rrit ndjeshëm pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të 2022-tës.

Bazuar në diskutimet publike brenda kanalit, disa postime të gjeneruara nga përdoruesit përfshijnë prefikset telefonike “+381” (Serbi) dhe “+382” (Mal i Zi). Kjo tregon se baza administrative dhe kontribuuesit kryesorë nuk operojnë nga Kosova, pavarësisht se kanali fokusohet shpesh në temat që lidhen me Kosovën.

Me mbi 110 mijë ndjekës e postime me një mesatare prej 100 në ditë, “Bunt-i” është nyja kryesore e koordinimit narrativ midis kanaleve pro-ruse dhe pro-serbe. Përmbajtjet e tij mbështeten dhe amplifikohen nga kanalet që kanë target veriun e Kosovës, si: “Korridor”, “Bunker”, “Srpski Vestnik” dhe “Istok Info”.

Sipas të dhënave nga TGStat, vetëm në mars të vitit 2025, BUNT është cituar 367 herë në 57 kanale të ndryshme, duke arritur një shtrirje mujore prej mbi 745 mijë ndjekësish. Kjo tregon jo vetëm popullaritetin, por edhe kapacitetin e tij për të ndikuar dhe përhapur dezinformata në mënyrë të koordinuar.

Këto kanale funksionojnë sipas modelit që përforcon narrativën në mënyrë ciklike. Një kanal shpërndan mesazhin, shpesh të ngarkuar emocionalisht, kanalet e tjera e ripostojnë apo e komentojnë, dhe kështu mesazhi amplifikohet. Rezultati është një ekosistem i rrezikshëm, ku përhapen urrejtja e dezinformimi dhe nxitet radikalizmi.

Narrativa të rreme për ngjarjet historike 

Kanalet e tilla zakonisht shpërndajnë qëndrime editoriale nacionaliste, anti-NATO dhe pro-ruse, duke promovuar narrativa që delegjitimojnë shtetësinë e Kosovës dhe justifikojnë viktimizimin serb.

24 Marsi shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj ish-RSFJ-së.

Edhe në përvjetorin e fundit, “Bunt” ka pasur dhjetëra postime që i referohen kësaj ngjarjeje. Në njërin prej tyre shfaqen dy fotografi të mëdha me mesazhe anti-NATO. Njëri baner përfshin shprehjen “SRBE BOMBE, PODRUMI I SVEĆE, SRBI VAM NIKADA OPROSTITI NEĆE” (“Serbët, bombat, bodrumet dhe qirinjtë, serbët nuk do t’ju falin kurrë”).

Imazhi i dytë përfshin një simbol të stilizuar anti-NATO. Përshkrimi “Hrabro za Kosmet” (“Me guxim për Kosmetin“) shihet në këndin e poshtëm të fotografisë, që shpërfaq tone nacionaliste.

Mbështetur në analizën e tekstit, postimi kritikon përafrimin e Serbisë me NATO-n dhe BE-në, duke sugjeruar që Serbia duhet të kthehet te besimi dhe traditat serbe.

Aty i paraqet Serbinë dhe Rusinë si mbrojtëse të qytetërimit ortodoks kundër ndikimeve perëndimore. Përmes narrativës së fortë nacionaliste, Serbia përshkruhet si shtet që po i reziston agresionit nga NATO dhe Perëndimi.

Postimi e paraqet ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si “bombardim terrorist nga kriminelët”, ani pse intervenimi u bë për të parandaluar krimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë.

Komentet në këtë postim janë përzierje mes ndjenjave nacionaliste, narrativave anti-perëndimore dhe promovimit të aleancës ruso-serbe.

Në një postim tjetër ekzagjerohen viktimat civile dhe injorohen krimet serbe të luftës në Kosovë. E gjithë përmbajtja e postimit, ku përdoren imazhe të fëmijëve duke qarë, përputhet me propagandën pro-ruse dhe anti-perëndimore, duke synuar të përforcohen narrativat nacionaliste serbe dhe të justifikohet kundërshtimi ndaj NATO-s dhe BE-së.

Këto narrativa amplifikohen edhe nga kanale të tjera në gjuhën serbe e ruse, sikurse “Srpski Vestnik”, që ka mbi 11 mijë ndjekës.

Si i gjejnë përdoruesit këto kanale dhe në cilat hapësira online flitet për to?

Sipas kërkimit në Google, kanali “t.me/buntcg” ka lidhje me Kosovën duke përmendur mijëra abonentë nga Serbia qendrore dhe veriu i Kosovës. Përmbajtja e “BUNT je Stanje Duha” shpërndahet shpesh nga disa profile në Facebook dhe Instagram me bazë në Kosovë, veçanërisht ato që operojnë në komunat veriore. Aktiviteti i tyre zakonisht rritet kur ka zhvillime të ndjeshme, si arrestimi i serbëve apo protestat në veri.

Ky kanal mbështetet nga kanale si: “Narodna Patrola”, “BUNKER” dhe “Hrаbro za Kosmet”, të cilat përbëjnë një rrjet të ngushtë propagandistik.

Sa u përket citimeve ndërkombëtare, “BUNT…” shpesh paraqitet edhe në portale si “Pravda”, duke theksuar rolin e tij në mbrojtjen e Kosovës.

Sipas TGStat, kanale të të njëjtit rrjet nacionalist, si: “BUNT je stanje duha”, “Hrаbro za Kosmet”, “Narodna Patrola” dhe “Сербский Вестник”, shpesh postojnë përmbajtje identike brenda pak orëve. Më 13 shkurt, “Hrаbro za Kosmet” e ripostoi një përmbajtje në orën 14:33, dhe “BUNT je Stanje Duha” të njëjtën temë e postoi në orën 18:19. Ky model i koordinuar sugjeron një strategji të centralizuar të shpërndarjes së mesazheve nga të njëjtat grupe që janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Masakra e Reçakut është një ngjarje tjetër për të cilën në secilin përvjetor ka narrativa të rreme në kanalet e Telegramit. Në një postim të “Srpski Vestnik”, më 15 janar 2025, ajo quhet trillim dhe ndërkombëtarët akuzohen që alarmuan për të në vitin 1999. Mesazhi e paraqet ndërhyrjen e NATO-s si të paligjshme, duke pretenduar se Masakra e Reçakut ishte një “justifikim i trilluar” për bombardimin e Serbisë. Po ashtu, pretendohet në mënyrë të rreme se ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker “përgatiti pretekstin” për fushatën e bombardimeve të NATO-s.

“Slovenski Medved i lidhur me “BUNT-in”

Kanali tjetër pro-rus “Slovenski Medved”, që ka 88 mijë ndjekës, është i lidhur me “Bunt-in”.

Të dashur vëllezër dhe motra, nëse dëshironi të mbështesni forcimin e fjalës së lirë dhe ripërtëritjen e mendimit kombëtar, me informacione të përditshme për të gjitha lajmet e brendshme dhe të jashtme, përfshirë Forcat e Armatosura Ruse në Ukrainë dhe me theks në Kosovë dhe M, bashkohuni në kanalin e Telegramit – 🇷🇸 REBELIMI ËSHTË GJENDJE SHPIRTËRORE”, shkruan në përshkrimin e këtij kanali.

“Bunt-i” në shumë raste ripublikon përmbajtje edhe nga kanali “Bunker”, i krijuar në mars të vitit 2023, që në fokus ka zhvillimet në veri të Kosovës.

Në përpjekje për të nxitur narrativë kundër Perëndimit përmes sentimentit fetar, ky kanal përdor dezinformata dhe manipulon me fotografi nga vende të ndryshme, për t’i prezantuar kinse kanë ndodhur në Serbi gjatë fushatës së bombardimeve.

Kombinimi i citateve të rreme, manipulimi me numrin e viktimave dhe imazhet emocionale, krijojnë një narrativë shpifëse anti-Perëndim, duke i portretizuar serbët si viktimat e vetme të agresionit, ndërkohë që injorojnë shkaqet që çuan në luftë.

Sipas statistikave të nxjerra nga “TelepathyDB”, numri i shikimeve të postimeve të “Bunker-it” në periudhën mars 2022 deri në mars 2025, ka qenë 6 milionë e 749 shikime, me 247 mijë angazhime aktive të përdoruesve. Grafika dëshmon se fluksi më i madh i postimeve ka qenë në qershorin e vitit 2023, periudhë kjo kur shpërthyen tensionet në veri pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale që deri atëkohë menaxhoheshin nga Lista Serbe. Si pasojë e protestave të dhunshme, lëndime të shumta pësuan pjesëtarë të KFOR-it, Policisë së Kosovës, derisa cak i sulmeve kanë qenë edhe gazetarët.

Ndërkaq, analiza e “OpenMeasures” për “Bunkerin”, në periudhën mars 2022 deri në shtator 2024, nxjerr se fluks të madh të postimeve në Telegram ka pasur më 24 shtator 2023.

Kjo ditë shënon sulmin terrorist të një grupi paramilitar nga Serbia, i drejtuar nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët e vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit. Në gjithë këtë situatë nuk kanë munguar as informacionet e rrejshme, përmes së cilave është tentuar të hutohet opinioni publik në Kosovë e Serbi.

Kanalet në gjuhën serbe dhe ruse shtynë narrativën zyrtare të Beogradit, e proklamuar menjëherë pas sulmit, se serbët lokalë u rebeluan për shkak të politikave persekutuese të Qeverisë së Kosovës.

Sipas të dhënave nga “Open Measures”, janë 36 kanale të tjera, përmbajtja e së cilave ka ndërlidhje me “Bunker-in”, mes të tjerash “Kosova është Serbi”, “Ukrainë Rusi”, “SrpskiVestnik”.

Rritja e etno-nacionalizmit 

Fushatat dezinformuese ruse dhe serbe kanë rol kritik në rritjen e etno-nacionalizimit. Këto narrativa nxisin zemërim dhe pakënaqësi, duke përforcuar ndjenjat ekstremiste të së djathtës ekstreme dhe duke rritur rrezikun për dhunë.

Në ekosistemin informativ të pakontrolluar, ku mungon çdo lloj moderimi, akterët nacionalistë dhe pro-rusë veprojnë lirshëm, duke përdorur gjuhë urrejtjeje, thirrje për dhunë e linçime publike si armë të luftës hibride.

Kështu ndodhi edhe pas valës së fundit të aksioneve të autoriteteve të Kosovës për t’i vënë nën kontroll disa ndërmarrje publike dhe institucione të tjera që deri tash kanë funksionuar me sistemin e Beogradit.

Lista Serbe dhe zyrtarë të lartë të Beogradit reaguan menjëherë, duke e quajtur këtë një përpjekje të radhës për spastrim institucional të serbëve. Në njërin prej reagimeve të shumta, Lista Serbe shkroi në Facebook se “regjimi i Kurtit po vazhdon fushatën kundër të gjithë elementëve serbë në veri”, tek i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë para se situata të përshkallëzohet. Këto mesazhe u amplifikuan nëpër grupet e Telegramit në gjuhën serbe. Në njërin prej tyre u bë thirrje për rezistencë.

Terroristët shqiptarë mbyllën sallën e sporteve në KM. A duhet t’i marrin edhe shkollat ​​dhe spitalet në mënyrë që dikush të dalë dhe të bëjë një deklaratë siç kanë bërë deri më tani!? Apo do të organizohet populli dhe do të ngrihet në mbrojtje të Kosovës dhe M, siç e ka mbrojtur për 25 vitet e fundit!”, shkruan në njërin prej postimeve.

Këto fushata janë të koordinuara, të qëllimshme dhe të mbështetura mbi një strategji të qartë për të minuar integritetin institucional të Kosovës, për të penguar bashkëjetesën ndëretnike, si dhe për ta ruajtur ndikimin e Serbisë dhe Rusisë në rajon.

Me shpërndarjen e narrativave të tilla, jo vetëm që tentohet krijimi i një realiteti paralel, por edhe synohet mobilizimi i komunitetit lokal kundër institucioneve të Kosovës, përmes frikësimit dhe stigmatizimit të individëve që bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore.