Tearca e dikurshme që gëzonte statusin e qytezës
Këtu, me këtë rast, nuk do të kridhem në historinë e trazuar, vagëlluar e të bujshme të Tearcës, sepse druaj se nuk do të mund ta sfidoj atë, prandaj vendosa që, më së pari të fokusohem në disa akcente që kanë të bëjnë vetëm në statusin e qytezës që ka gëzuar Tearca nga fundi i shek. XIX dhe fillim të sh. XX.
Duke shfletuar dokumente të sh. XIX dhe shënime nga udhëpërshkrues të ndryshëm të kohës, kuptojmë se Tearca që herët ka qenë një qendër mjaft e rëndësishme e Pollogut verilindor. Andreja Stojanov – mësues bullgar (1866-1894) në Tetovë, për këtë vendbanim shënon se ka 3-4 dyqane mallrash dhe manufakturash, 2 kovaçhanë dhe një samarxhi. Gj. Petrovi më 1896 shkruan se Tearca në atë kohë ka pasur 40 dyqane, 20 dërstila (valavejca) dhe 10 mullinj, kurse Cvijiqi më 1911, duke e konsideruar Tearcën si qytezë dhe qendër të Anasharrit, shkruan se, në të ka 50-60 dyqane. Që në këtë kohë, në rrugën kryesore ka ekzistuar dhe funksionuar Çarshia, zhvillim ky që vazhdoi edhe pas tërheqjes së Turqisë nga Ballkani (1912). Kështu, është me rëndësi të ceket se, për një kohë të shkurtër (1929-1930), Tearca ka gëzuar statusin e qytezës, të fituar me vendim të Administratës shtetërore në Beograd, në Banovinën e atëhershme të Vardarit. Ka qenë e përcaktuar edhe dita e pazarit (që ka qenë dita e enjte), ku janë përfshirë krejt vendbanimet e Anasharrit, nga Xhepçishti e deri në Odër e Vratnicë. Gjithçka ka patur në këtë Pazar të Tearcës: bojaxhi, kazanxhi, biçkixhi (sharrë apo prerës dërrasash), abaxhi, kovaçhanë, kollarë, berberë, kundraxhi, qymyrxhi, nallbanë, terzi (rrobaqepës), teneqexhi, zdrukthtari, kasapnicë, bukëpjekës (furraxhi), ëmbëltore, bozaxhi etj…
Edhe pse më vonë ky status shfuqizohet, ky vendbanim nuk e humbi rëndësinë dhe “namin” që kishte që para luftës së dytë botërore. Ai, ka qenë dhe mbetet akoma qendër administrative, prandaj, vazhdon gjallërinë dhe ritmin e duhur të zhvillimit, si në aspektin infrastrukturor, po ashtu edhe në atë bujqësor, ekonomik e tregtar, (sidomos, vlen të përmendet këtu Ndërmarrja Tregtare: “Bistrica”-1954). Këtu janë dy objekte shkollore, (ku i pari është ndërtuar që në vitin 1933). Këtu formohet klubi futbollistik: “Bistrica”, klubi i mundjes: “Bistrica” – v. 1960 , me anëtarë nga vendbanimi homonim (Sali Hazari, Zuljo Abduli, Zuljo Memeti – Kuka), Sllatina (Zemri Neimi, Sali Neimi), Nerashti (Taip Taipi) e k.m.r).
Kështu e kujton Tearcën në vitet 70-ta edhe profesori i nderuar nga f. Dobrosht, z. Hasan Jashari – në një publikim në profilin e tij të fejzbukut:
“Takimi im i parë me Tearcën ka qenë kur – si i vogël, me shokët e brezit tim, një ditë të veçantë për ne, vendosëm të blejmë një top për lojën tonë shumë të dashur të futbollit. Udhëtuam në këmbë nëpërmjet Gllogjës dhe Përshevcës. Atëherë kufijtë ndërmjet katundeve ishin shumë të dallueshëm. Kur mbërrijtëm në Tearcë, pamë një “qytet”. Kishte dyqan ku shitej gazeta. Blemë të gjithë nga një gazetë “Flaka e Vëllazërimit”. Hyrëm në ëmbëltore . Kishte një vetëshërbim të madh. I pamë reklamat e filmit, me ç’rast në mbrëmje luante “Winetou”, prej ku, kureshtje të veçantë na zgjuan edhe dyqanet dhe kafeteritë ku pihehj çaji, e që ishin plotë e përplotë.
Për ne që kishim në katund vetëm një dyqan, ishte një takim mbresëlënës. Pra, një “qytet” i vërtetë – me të gjitha bizneset e vogla: berber, furaxhij, kasapë, terzi, kallajxhi, bojaxhi, mullixhi, teneqexhi, sheqeraxhi, farkëtar, maqinë leshi, zdrukthtarë, këpucar etj.
…Në kujtim e kam përherë atë pamje , atë gjallëri të Tearcës të viteve shtatëdhjeta. Ai motiv ende tek unë është i ngrohtë e shumë miqësor…”
TEARCA SI QENDËR ADMINISTRATIVE
(Burimi: Zdravko Serafimovski – Zevs, Monografia: “Tearce (1452 – 2006)”, botuar në v. 2007)
Si një vendbanim i madh që ka qenë dhe është Tearca, si i tillë, gjithnjë është dalluar nga vendbanimet tjera rurale – që nga fillimi i shekullit 19, edhe atë, si për nga zhvillimi i zejeve dhe artizanateve, po ashtu edhe për nga zhvillimi i marrëdhënieve tregtare e shoqërore. Kështu, ky vendbanim, që herët bëhet qendër administrative e mbarë regjionit të Anës Veriore të Tetovës (Rrëzës dhe Rrafshit), duke filluar, madje, që nga koha e Turqisë. Meqë, si një mjedis shumetnik dhe fetar, në të kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë, si: shqiptarë, maqedonasë, turqë dhe romë. Njëkohësisht , ky mjedis dallohet do si do, edhe për nga mënyra dhe stili i jetës, në krahasim me mjediset tjera të këtij nënqielli, përkatësisht – në Maqedoninë e Veriut.
Në varshmëri të drejtpërdrejtë me rrethanat historike dhe shoqërore, organizimi i pushteteve, në rrjedhë kohe kanë ndryshuar edhe Tearcën, e cila është shnërruar, përveç tjerash edhe në qendër administrative në më shumë apo më pakë vendbanime rurale që kanë rrethuar këtë vendbanim.
Për kohën e Turqisë, nuk disponojmë shkrime të mjaftueshme për statusin e Tearcës, por pas tërheqjes së Perandorisë në fjalë dhe pas pushtimit serb të këtyre viseve, në vitin 1912, Tearca – me fshatrat tjerë, si: Otushishtë, Breznë dhe Përshevcë, kanë qenë në një komunë, përkatësisht – në Komunën e Tearcës, me kryetar, Risto Bllazhev Gjorgjievski e, pas tij – Idriz Esati nga “Përveshet” e Otushishtës, të cilët, deri në L.II B. kanë funksionuar në bazë të të ashtuquajturit të mekanizmit të “Rotacionit” (Për shkak të strukturës etnike të popullsisë). Në këtë periudhë, kryetar ka qenë edhe Rasim Sadullahu nga Tearca dhe Bozhin M. Gavrillovski nga Brezna. Selia e komunës, fillimisht ka qenë në shtëpinë e Hamza Abedinit, pastaj në “Shtëpinë e Musës” – në anën e majtë të lumit të Tearcës dhe Përshevcës që, më në fund objekti – të transferohet në qendrën e re të Tearcës.
Në mbarim të L.II B. pas formimit të të ashtuquajturit Këshilli Nacional Çlirimtar, për kryetar Këshilli zgjidhet (caktohet), Aleksandër Kërstevski. Pas mbarimit të luftës (v. 1945), me organizimin e ri administrativ, Tearca mbetet qendër administrative e Rrethit në përbërjen e së cilës hyjnë komuna e Leshkës, Neproshtenit, Dobroshtit, Vratnicës dhe Shemshovës. Për kryetar të Rrethit (Qarkut) zgjidhet Tode Vasovski nga Leshka.
Nga viti 1947, Tearcës i abrogohet statusi i Rrethit (Qarkut) dhe, për kryetar zgjidhet Shuko Sahiti, ndërsa në mandatin tjetër – Tode Vasovski nga Leshka. Me Ligjin e Përgjithshëm për Rregullimin e Komunave dhe Rretheve (Qarqeve), nga shtatori i vitit 1955 për Tearcën fillon faza më e rëndësishme e pasluftës, që karakterizohet me zhvillimin e hovshëm në të gjitha sferat e jetës. Tearca me këto zhvillime mbetet qendër e komunës, që ngërthen krejt territorin verilindor të Tetovës, më saktë, nga fshati Xhepçisht, Trebosh dhe Pallaticë, deri në kufi me Kosovën, gjegjësisht, krejt Rrëza e Sharrit me Rrafshin. Në kuadër të komunës së Tearcës hyjnë: Otunja, Setolja, Varvara, Neproshteni, Leshka, Sllatina, Brezna, Tearca me Otushishtën, Përshevca, Gllogja, Jelloshniku, Dobroshti, Parca, Odri, Bellovishta, Vratnica, Rrogaçeva, Jazhinca, Orasha, Nerashti, Jegunovca, Podbregi, Jançishti, Raotinca, Tudenca, Prelubishta, Siriçina, Shemshova, U(o)zurmishti, Zhillça dhe Rataja (d.m.th., 35 fshatra me 28 000 banorë – me sipërfaqe prej 320 km katrorë).
Si qendër komunale, këtu ndërtohen 4 ndërtesa (objekte banimi) me 2,4,6 dhe 8 banesa; çilet kinoja (bioskopi),
Shtëpia e Malorëve në vendin malor i quajtur: “Tri vode” (Tre ujnat), Stacioni Policor, Moteli, Ndërmarrje Tregtare: “Bistrica” dhe shumë punëtori artizanale. Me një fjalë “lulëzoi” zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor dhe sportiv .
Në këtë trend ndërtohet edhe Fusha e sportit*, Objekti i Ri shkollor**, Stacioni i Veterinarisë, Banjoja publike, Poshta, etj.
Me këtë ritëm të zhvillimit si komunë, Tearca ka funksionuar jashtëzakonisht suksesshëm deri në vitin 1965, kur me Ligjin e ri për ndarjen territoriale, statusi i komunës iu suprimua dhe, komunën ia bashkangjesin Tetovës.
* Me Vendim Gjyqësor nr. 04-9306 të datës 21.08.1959, u nacionalizua toka e MV. “Prekaçe” në periferinë perëndimore të Tearcës, nga qytetarët: Apostollovski Serafimov Stevo dhe Apostollovski Serafimov Koce (Parcela Kadastrale ose P.K. 2316), Jashari Useinov Rushit (Rushit Usein Jashari) (K.P. 2315) dhe Maliki Eshtrefov Usein (Isen Eshtref Maliki) (P.K.2324). Diçka më vonë, toka si pronë shoqërore, me vendim të komunës së Tearcës të datës 26.04.1960, i jepet në shfrytëzim Shkollës Fillore”Kiril Pejçinoviq” – Tearcë, me qëllim të ndërtimit të fushës së futbollit. Në të njëjtën kohë, K.F. “Bistrica” me ndihmën e banorëve të vendbanimeve dhe Kuvendit të komunës, në tokën e përmendur, ndërton fushën e futbollit.
**Këtu janë dy objekte shkollore, ku i pari është ndërtuar që në vitin 1933 dhe mësimi është zhvilluar në gjuhën serbo-kroate (me këto etapa të zhvillimeve edukativo-arsimore: më 1944 –hapet shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën maqedone në objektin e vjetër, kurse më 1945- hapet shkolla fillore katërklasëshe edhe në gjuhën shqipe); më 1950 ndërtohet objekti i ri i shkollës fillore (“Progjimnazi”); më 1982/83 hapen paralelet e para të Gjimnazit të Tetovës në gjuhën shqipe që, pas disa vitesh të funksionimit, për shkak të mungesës së kushteve hapësinore ndërpreu veprimtarinë.
Vlen të përmendim këtu edhe formimin e klubit të mundjes: “Bistrica” , për të cilin klub, tërthorazi kemi bërë fjalë mësipër e, që sipas burimit në fjalë, do të flasim më në hollësi:
Në Tearcë, në vitin 1960, formohet klubi i mundjes: “Bistrica”, i cili një dekadë ka funksionuar jashtëzakonisht suksesshëm, dhe ka bërë gara në Ligën e Parë Federative – stili i lirë. Kryetar i klubit ka qenë Bozhin Breshkovski, ndërsa trajner ka qenë Sali Hazari. Trajnimet realizoheshin në sallën e Rinisë – në shkollën fillore të Tearcës, ndërsa garat realizoheshin në të ashtuquajturin Te Domi (në sallën e kinemasë). Shumica e anëtarëve të këtij klubi veshën edhe fanelën e reprezentacionit në seleksionet e ndryshme të Jugosllavisë së atëhershme, dhe kanë marrë pjesë në shumë turne dhe gara ndërkombëtare në vend dhe jashtë vendit, si: në Bullgari, Rumani, Shqipëri, Turqi, Austri, Poloni etj. Këtu do t’i cekim vetëm mundësit më të suksesshëm, të cilët edhe janë kthyer me medalje të fituara: (Sali Hazari, Zuljo Abduli, Zuljo Memeti – Kuka, Todor Gjorgjevski, Branko Dimovski – Tearcë), (Zemri Neimi, Sali Neimi – Sllatinë), (Taip Taipi – Nerasht, e k.m.r). Është për t’u theksuar këtu edhe fakti se nga Tearca dalin edhe disa referë të sukseshëm të mundjes, si: Bozhin Breshkovski, Ferit Sadullahu dhe Muhamet Qamili.