Të shtëna në qendrën tregtare “East Gate”, MPB kërkon autorin

Sot (24 tetor) nga qendra tregtare “East Gate” në Shkup është raportuar se është shtënë në drejtim të dy personave të cilët janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spital. Në vendngjarje kanë shkuar ekipet e policisë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

MPB njoftoi se në foton e siguruar nga shërbimet policore është personi që ka kryer ngjarjen penalo-juridike.

“Në të njëjtën kohë, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, nëse e vërejnë këtë person, kanë ndonjë njohuri për të apo informacione të dobishme që mund të ndihmojnë në hetimin që SPB Shkup i udhëheq në koordinim me Prokurorin Publik, të lajmërohen menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrat e telefonit 192 ose 112”, informuan nga MPB.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin të shtëna në këtë qendër tregtare. Më 25 gusht të këtij viti, në garazhet e East Gate, pati të shtëna ndaj tridhjetë e nëntë vjeçarit R.T. nga Shkupi, por kishte arritur ta godasë.

Më pas personat e maskuar që kishin qëlluar nga një automjet tip Audi me targa të huaja janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe automjeti u gjet në flakë në afërsi të liqenit të Treskës në drejtim të Gërçecit.