Të paktën 164 të vdekur nga tërmetet e fuqishme në Venezuelë
Dy tërmete të fuqishme kanë lënë të vdekur të paktën 164 persona dhe kanë lënduar qindra të tjerë në Venezuelë, bënë të ditur autoritetet e atjeshme, pasi dy dridhje të fuqishme shkaktuan rrëzimin e ndërtesave, raporton Radio Evropa e Lirë.
Punëtorët e shpëtimit dhe banorët janë parë duke kontrolluar nëpër rrënoja për të mbijetuar, teksa pas fatkeqësisë natyrore udhëheqësja e përkohshme e vendit, Delcy Rodriguez shpalli gjendje energjente.
Tërmetet me 7.2 dhe 7.5 shkallë të Rihterit goditën zonën e njëjtë në Venezuelë të mërkurën, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar rrëzimin e ndërtesave në kryeqytet dhe duke detyruar autoritetet që të mbyllin aeroportin kryesor të vendit.
Rodriguez kishte deklaruar paraprakisht se 20 pasgoditje ishin regjistruar pas dy tërmeteve.
Lëkundjet e tokës shkaktuan panik në Karakas.
“Shkallët u rrëzuan, i gjithë muri u ça. Gjërat binin nga tavani. Ishte e tmerrshme”, tha për AFP-në, Odalis Escalona, 54-vjeçare.
SHBA-ja “menjëherë dislokoi ekipe të kërkim-shpëtimit, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare për Venezuelën”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të enjten.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën vonë se “dy tërmete të fuqishme sapo goditën popullin e Venezuelës dhe që të dy janë masiv dhe kanë shkaktuar numër të tmerrshëm vdekjesh”.
Tërmeti i parë, me epiqendër 21 kilometra në perëndim të qytezës Moron, ndodhi në orën 22:04, sipas kohë lokale, tha Shërbimi amerikan i Gjeologjisë. Brenda minutës, një tërmet prej 7.5 shkallësh goditi rreth 45 kilometra më larg.
“Ky tërmet është ngjarja e dytë me tërmet të dyfishtë. Shkalla prej 7.5 ballësh ndodhi pas një goditje prej 7.2 shkallësh që zgjati 39 sekonda”, tha shërbimi amerikan.