Të ngecur në trafik

Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është proces me rëndësi jetike, por ja që disa, ende nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë. Është proces i gjatë dhe i lodhshëm, por njëherit është edhe perspektiva më e mirë, e vetmja perspektivë për përparimin tonë. Rruga për anëtarësim në BE është e qartë, edhe pse kriteret shpesh ndryshojnë dhe vende të ndryshme bëjnë pengesa. Por disa assesi të kuptojnë që shtetet që janë brenda janë në pozitë përparësie në krahasim me shtetet që janë jashtë. Kështu që, përveç nëse nuk ka ndonjë situatë ekstreme si rasti i Ukrainës, atëherë janë shtetet anëtare të BE që kanë të drejtën në çdo çast të vendosin veto ndaj procesit të integrimit të shteteve të reja. Dhe sa më shumë që presim, sa më shumë kohë që humbasim, aq më shumë rritet numri i shteteve që mund të vendosin veto të reja ndaj nesh.

Për këtë arsye, është mirë të rikujtojmë që rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE kalon përmes ndryshimeve kushtetuese për të cilat u ngrit aq dramë mujave të kaluar. Ja ku kaloi edhe një samit BE, ku sikur t’i kishim bërë me kohë ndryshimet kushtetuese, punët do të qëndronin ndryshe. Tani ne me vet fajin tonë, për shkak të egove të njërit apo tjetrit, për shkak të bllokimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese, kemi ngecur sërish në trafikun e fundvitit dhe nuk bëjmë dot as para e as pas. Deri kur do të pranojmë të ngecim kështu me vetëdëshirë në këtë komunikacion, ku rreth nesh ka shumë levizje e ne qëndrojmë në vend?!

E rëndësishme është që BE ka shprehur qartë qëllimin e vazhdimit të procesit të zgjerimit. Tani edhe Ukraina hyri në lojë dhe përparoi menjëherë në rrugën e hapjes së negociatave për aderim. Zgjerimi i BE bazohet së pari në vendimet politke gjeo-strategjike, ku gjendja e luftës së Ukrainës me Rusinë është situatë emergjente ku duhet shprehur qartë përkrahja për sakrificën e madhe që Ukraina e bën gjatë këtyre dy viteve të luftës që zhvillohet në territorin e saj. Shtete e Ballkanit Perëndimor, në vend se të demoralizohen me përparimin e shpejtë të Ukrainës në këtë proces, është mirë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të përparuar edhe vet tani, që dritarja është e hapur. Ajo dritare nuk do të mbetet e hapur për kohë të gjatë. Prandaj ajo që nuk na konvenon fare në këtë moment, është ngecja me vetë dëshirë në trafik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.