Të mërkurën fillon Festivali i filmit Watch Out në Tetovë

Edicioni i 11-të i Festivali të filmit Watch Out do të mbahet nga data 21 deri më 24 qershor 2023, transmeton Portalb.mk.

Ky edicion i Festivalit të filmit Watch Out synon të rikthejë zërin e artit të angazhuar në hapësirën publike.

“Me filma nga e gjithë bota do të tregojë larminë e kinemasë dhe bukurinë e saj. Edicioni i këtij festivali do të shënojë frymën e aktivizmit dhe do të inkurajojë luftën për të drejtat dhe ruajtjen e hapësirës dhe shoqërive. Le të festojmë së bashku magjinë e kinemasë dhe fuqinë e artit në transformimin e shoqërive.”, informojnë organizatorët.

Këtë vit, programi i festivalit sjell një larmi të madhe filmash nga më shumë se 85 vende. Kështu, ky edicion do të shënohet nga një program i pasur me filma dhe punëtori nga regjisorë, producentë, autorë dhe artistë të njohur ndërkombëtarisht.

Shfaqjet e filmave do të jenë gjatë një periudhe 4-ditore, duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin përballë Muzeut të Partisë Komuniste, Tetovë, Maqedonia e Veriut. Në rast shiu projeksionet do të organizohen në hapësirat e Qendrës LOJA (Pocket Cinema dhe Community Room).

Hyrja për të gjitha projeksionet është falas.

Hapja e Festivalit të Filmit do të bëhet të mërkurën më 21 qershor në orën 20:00 nga: Petra Drexler – ambasadore e Gjermanisë, Katrin Ostwald-Richter – drejtore e Institutit Goethe dhe Bujar Luma – drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik LOJA.

Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe Ceremonia e Shpërblimit.

Juria e festivalit kanë shpërblyer autorët e mëposhtëm:

  • Film me metrazh të shkurtër: Un Lugar Limpio y Bien Iluminado (Një vend i pastër dhe i ndriçuar mirë) – Nelson Urdaneta, Argjentinë/Venezuela.
  • Film eksperimental dhe i animuar: We Are the Earth – Zoe Rose, Francë.
  • Film Dokumentar: Familiar Stranger – Adhishni D/o Mathialagan, Singapor

Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze.

Watch Out Tetovo Film Festival është festival ndërkombëtar në qiell të hapur që organizohet nga Qendra LOJA. Festivali mbështetet nga Goethe-Institut Shkup dhe disa segmente të festivalit mbështeten nga KURVE Wustrow.