Të lënduar nga tensionet mes policisë dhe protestuesve në Tiranë

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me incidentin dhe tensionet e regjistruara në mesnatë mes protestuesve dhe policisë para Kryeministrisë. Nga incidenti ka mbetur i lënduar kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, raporton Euronews.

Ndërkohë bëhet me dije se në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka lënë Spitalin ndërsa tjetri vijon i hospitalizuar nën kujdesin e mjekëve.

Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.

Gjithashtu, për ndihmë mjekësore në spital janë paraqitur edhe dy protestues të cilët gjithashtu ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë lënë ambientet e spitalit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.