Të kryqëzuar për kryqin

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Para stuhisë, thonë, ka qetësi, ashtu ishim ne, të qetë deri në momentin që filluan zhurmat:

“Kanë vendosur kryqin”, “Një kryq i madh në Kodrën e Diellit”, “Kryq në Kоdrën e Diellit” bërtisnin.

Po në këtë rast, stuhia e vërtetë, nuk e besoj të jetë kryqi, por, zgjedhjet që po afrohen dhe këto skenarë për acarimin e emocioneve të masës në periudha parazgjedhore tashmë janë të njohura.

Kush nuk e din: Në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” i cili ndodhet në mes pistës së skijimit u vendos kryqi i cili nuk kishte marrë leje nga autoritetet kompetente.

Në një botë normale në fakt, këtu do të ishte lajmi se kryqi është vendosur në kundërshtim me ligjet e vendit, pa procedurë.

Por, harrova.

Kompetentët, e sidomos partitë politike s’kishin kohë të merren me këtë, sepse ato shqiptare “ziheshin” se cila është fajtore për vendosjen e këtij kryqi,

Ndërsa,

Partitë politike maqedonase, “ziheshin” se cila e do më së shumti kryqin, madje kishte zyrtarë që tregonin se edhe me çfarë lloji të armëve do ta mbrojnë atë.

E përderisa këto kacafytje vazhdojnë, vazhdoi praktika që kushdo, kurdo, mund të vendosë objekte pa leje në Kodrën e Diellit!

Vlen të theksohet se përderisa ata “zihen”, populli këto skenarë për t’i prekur ato në emocione tashmë i ka të njohura, andaj, as myslimanët e as krishteret nuk i mprehën shpatat ta heqin kryqin e as ta mbrojnë atë.

Mund të shihet ndonjë sharje në “Fejsbuk”, por masa e di tashmë ku qëndron faji.

Shumë fjalë dolën, shumë pak u tha, opinioni publik në Maqedoninë e Veriut e meriton të marrë përgjigje në dy pyetje kruciale, edhe atë:

  • Kush realisht e vendosi këtë kryq dhe më e rëndësishmja për cilat arsye?
  • A do të hiqet ky kryq meqë është vendosur në kundërshtim me ligjin?

Fetë në vete promovojnë paqen dhe solidaritetin me njëri-tjetrin, por te ne kjo nuk vlen, pasi te ne edhe me fenë bëhet politikë, edhe atë në çfarë formash se, tani më e kemi mësuar.

Nuk thonë kot se çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë.

Për këtë arsye, biseda e kryqit do të heshtet shumë shpejt për t’u ringjallur përsëri sapo të fillojë fushata e zgjedhjeve, qofshin ato parlamentare apo presidenciale, apo të dyja bashkë.

Deri atëherë, situata të tilla nuk do na habisin, as neve si gazetarë, e as popullin!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.