Të gjithë Merkot e Maqedonisë

Koment nga kryeredaktorja e Portalbit, Elida Zylbeari

Nuk më habit fakti që Amerika ka shpallur person të padëshirueshëm kryetarin e Strugës, Ramis Merko. Ka do kohë që ai është i padëshirueshëm nga struganët. Më vjen keq për faktin që të bëmat e tij i nxori në shesh partneri ynë strategjik, që gjendet shumë larg vendit tonë, dhe jo ata që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë punë.

Kryetari i Strugës: Ende hesht. Po ku mbeti fytyra dhe detyrimi për dorëheqje, gjëja më e vogël që tani mund të bëjë ai. Posaçërisht pas faktit që partia amë e përjashtoi atë. Pasi që fitoi zgjedhjet siç i fitoi, kishte mbështetjen e partisë dhe ishte kryetar i anëtarëve të BDI-së në Strugë, por tani që edhe BDI u detyrua të heq dorë nga ai, kryetar i kujt është? E keni parë Strugën në çfarë gjendje është? Çfarë bëri ai për këtë qytet të bekuar me liqen? Nëse nuk keni qenë në këtë vend, në shkrimet e gazetares sonë, do të njiheni me situatën atje, e cila është më tragjike nëpër fshatra.

Partia: BDI e mësoi një llaf që nuk i shqitet nga goja përfaqësuesve të kësaj partie, “Veting-un”. Sa herë ndodh diçka në shtet e zbulohet ndonjë keqpërdorim, partia menjëherë e përdor këtë fjalë magjike, demek do të bëjnë “pastrimin” e kuadrove të korruptuara nga struktura partiake. Por asgjë nuk pamë nga ky veting i famshëm! Më freskoni memorien pasi që nuk e mbaj mend: U përjashtua dikush nga partia nga këto arsye? Apo u përjashtuan pasi nisën luftën për rimarrje të pushtetit në këtë parti?
U dasht Amerika t’i tregojë kreut të kësaj partie që njëri nga personat që udhëheq një komunë të rëndësishme qenka i kyçur në krim dhe korrupsion. Dhe me gojën plotë dalin bëjnë thirrje që të hetohen të gjithë ata që mbajnë pozita vendimmarrëse nga organet hetuese. Cilat organe?! Ata që me dekada i ka mbushur me njerëz partiak? Prokuroria e gjykatat e hetuesit nuk marrin frymë nga partizimi i skajshëm dhe pritet që ata të hetojnë ndonjë bashkë-partiak? Mos ishte tragjike do të ishte qesharake.

Apatia: Reagimet në opinion janë standarde me vite, askush nuk habitet, të gjithë thonë se me këta politikanë s’bën puna te ne, të gjithë më pas votojnë dhe politikanët e ngjashëm janë në krye. Një cikël që përsëritet, rreth vicioz. Ata që janë të aftë kanë ikur, ata që kanë mbetur tentojnë të mbijetojnë. Nuk jam e sigurt nëse është shtypur gradualisht fryma kritike në këtë shoqëri apo atë asnjëherë nuk e kemi pasur? Këtë apati shoqërore e kanë krijuar mu këto politikanë e zyrtarë, me qëllim që të mbajnë pushtetin. Po, situatën e mizërisë e mbajnë nën kontroll që asnjëherë mos dalin nga ajo sepse njeriu që ka bollëk dhe liri nuk duron keqmenaxhim. Qëllimi i udhëheqësve tanë është të ruajnë status-quo-në dhe fraza “të gjithë janë njejtë” të mos shqitet nga goja e popullit. Demotivimi i votuesit të pavendosur dhe dëbimi i rinisë është mbase krim i paramenduar i politikanëve që të mbajnë të vetët në funksion.

Të gjithë Merkot e Maqedonisë: Shpresoj që lista e zezë të pasurohet me gjithë ata Merkot e Maqedonisë që ne i dimë por nuk flasim publikisht. Që nëpër kafene madje me emra i cekim por kur u thua më jep detaje dhe shprehu publikisht që të bëjmë temë në median tonë, ikin si pula pa krye. Nejse, fjalën e kam që si personi në fjalë ka plotë, ata i takojmë çdo ditë dhe i shohim në media. Janë të partive dhe prejardhjeve të ndryshme, të gjithë së bashku me vite punojnë kundër popullit, dhe për pasurim personal. Të rrallë janë ata që hyjnë në politikë me nijetin e përmirësimit të gjendjes së popullit, për të bërë mirë. Madje as mirë nuk mund të quhet sepse ne i paguajmë, jo nuk na bëjnë mirë, ata e bëjnë punën që paguhen për ta bërë. Pak janë, të rrallë janë, dhe kur këta tjerët që kanë nijete tjera shohin se dikush punon, menjëherë e sulmojnë dhe e largojnë nga vendimmarrja. Prandaj kjo shoqëri nuk përparon…