Biznesmenë, bëhuni të përgjegjshëm!

Ekziston një logjikë e arsyetuar se biznesi përveç si institucion që gjeneron përfitime, duhet të jetë përgjegjës edhe ndaj shoqërisë, si kontribuues në përmirësimin e kushteve në komunitetin ku vepron.

Padyshim që objektivat e organizatave të biznesit duhet të jetë fitimprurëse.

Milton Friedman (nobelist i ekonomisë) në vitet 1970 ka thënë: “Përgjegjësia e vetme sociale e biznesit është të rrisë fitimet e tij”.

Por përtej kësaj, çdo biznes operon dhe vepron brenda shoqërisë, përdor burimet e saj.  Si rrjedhojë, aktivitetet e biznesit duhet të jenë të tilla që të mos dëmtojnë, por përkundrazi të mbrojnë dhe kontribuojnë në interesat e shoqërisë.

Prandaj bizneset duhet të përmbushin disa detyrime ndaj shoqërisë, si nga ana humane ashtu edhe ajo mjedisore. Në kategorinë e parë përfshihen kërkesat dhe detyrimet e kompanive ndaj palëve të ndryshme të interesit me të cilat ndërveprojnë si: pronarët, punonjësit, aksionarët, konsumatorët, furnitorët, etj . Dhe jo vetëm.

Shqetësimet ekologjike si: varfërimi i burimeve, ndryshimi i klimës dhe katastrofat ekologjike po bëhen gjithnjë e më aktuale. Kurse bizneset janë shfrytëzues të mëdhenj të resurseve natyrore.

Ndaj mjedisi duhet të konsiderohet si palë interesi në veçanti i organizatës sepse merret me efektet që vijnë nga aktiviteteve e tyre si: shfrytëzimi i resurseve natyrale, transformimi i relievit (nga nxjerra e lendeve te para apo/dhe grumbullimi I mbeturinave), ndotja e ambientit (emetimi i gazrave te këqija, rritja e trafikut, ndotjet industriale, etc)

Përgjegjësia sociale (shoqërore) e Korporatave apo siç njihet ne literaturën angleze “Corporate Social Responsibility” (CSR) iu referohet të gjitha detyrimeve të lartpërmendura, të orientuara drejt mirëqenies së shoqërisë. Pra në esencë, përgjegjësia shoqërore paraqet kujdesin e biznesit për problemet shoqërore. Prandaj kompanitë duhet të integrojnë shqetësimet sociale dhe mjedisore në strategjitë dhe operacionet e tyre.

“Punë e biznesit është t’i shërbejë shoqërisë, jo vetëm të fitojë para”, deklaron më vonë Dayton Hudson.

Koncepti i CSR ekziston prej kur ekziston edhe ndërmarrja, por më aktual është bërë gjatë tre dekadave të fundit. Gjithnjë ka ekzistuar kërkesa për përmirësimin e kushteve për punë të punëtorëve, për rritjen e sigurisë së investimeve, aksionarëve etj. Por me kalimin e kohës ka ndryshuar përmbajtja e saj. Sot përgjegjësi shoqërore përfshin edhe veprimtari të tipit: përfshirje e bizneseve në zgjedhjen e problemeve komunale, ndihma për pjesët më të prapambetura të shoqërisë, ruajtja dhe promovimi i vlerave shoqërore dhe kulturore, promovim I sportit dhe kulturës, për të ndihmuar në fushën e kërkimit zhvillimor të arsimit, shkencës mjekësore, teknologjisë, etj.

Disa kërkesa për përgjegjësinë shoqërore janë të rregulluara në mënyrë ligjore. Kështu me dispozita ligjore janë përcaktuar disa çështje si për shembull: kufiri i pagës minimale te punëtorëve, standarde me të cilat rregullohet niveli i lejuar i ndotjes së ajrit dhe rrethinës, insistohet në rregullimin e kushteve për punë etj.

Ekzistojnë disa qasje ndaj CSR. Po përmend 2 prej tyre:

Qasja 3P – People, Planet, Profit

Pak a shumë ajo që përmendëm më lart por e strukturuar pak më ndryshe.

Njerëzit nuk janë vetëm të punësuarit por edhe ata jashtë organizatës. Organizata 3P nuk merr vendime që dëmtojnë apo shfrytëzojnë njerëzit.

Organizata 3P ka ndjeshmëri ndaj çështjeve ekologjike, dëmtimi i mjedisit mund të evitohet duke pasur kujdes.

Qasja 3P nuk ka për qëllim vetëm fitimin, por edhe mënyrën e përgjegjshme të shfrytëzimit të tij

CSR Piramida

Klasifikim i Përgjegjësisë Shoqërore sipas lëmisë për të cilën bëhet fjalë. Një model gjeometrik i thjeshtë dhe intutiv (si piramida), i ndërtuar për t’i bërë ballë provës së kohës.

Përgjegjësia ekonomike – më e rëndësishmja në ndërmarrje, bazike. Si pjesë e shoqërisë ndërmarrja prodhon produkte të cilat i kërkon shoqëria për t’i kënaqur nevojat e saj.

Përgjegjësia ligjore (juridike) e biznesit domethënë respektimi i rregullave, dispozitave dhe ligjeve në mjedisin shoqëror në të cilën e realizon veprimtarinë.

Përgjegjësia etike – biznesi ka detyrim që të bëjë atë që është e drejtë dhe të shmangë dëmtimin e të gjithë atyre me të cilët ndërvepron.

Përgjegjësia filantropike -biznesi pritet të jep dhe të kontribuon me resurse financiare, fizike dhe njerëzore në komunitetin të cilit i takon

Përgjegjësia ndaj shoqërisë  – Biznesi si pjesë e shoqërisë, ruan marrëdhëniet e tij me të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Po pse duhet te jete biznesi përgjegjës ndaj shoqërisë?

Pikë së pari kjo përmirëson imazhin publik dhe ndikon në krijimin e reputacionit të mirë. Kjo pastaj ndikon në rritjen e besueshmërisë së konsumatorëve dhe tërheq  investitorë të rinj. Përmbushja e kërkesave të të punësuarve ngre moralin, angazhimin dhe performancën e të punësuarve në kompani dhe si rrjedhojë rit produktivitetin. Po ashtu mundëson një fushëveprimi të sigurt sepse me respektimin e rregulloreve dhe ligjeve, evitojnë problemet me shtetin. Çdo biznes është pjesë e shoqërisë, prandaj mbijetesën dhe zhvillimi i tij varen nga mbështetja që merr prej saj.

E gjitha kjo e përmbledhur me një frazë:

“Biznesi e shndërron një problem social në mundësi dhe përfitim ekonomik, në kapacitet prodhues, në kompetencë njerëzore, në punë mirë të paguar si dhe në pasuri”.” (Peter Drucker)

Ndaj biznesmenë, bëhuni të përgjegjshëm dhe mos neglizhoni / harroni detyrimet bazike për rritjen dhe mbijetesën e bizneseve tuaja.

Shkruan: Natyra Dika Krluku