Të enjten në Maqedoninë e Veriut do të fillojë greva e të punësuarve në “Pyjet nacionale”

Sindikata për ndërtimtari, industri dhe projektim (SNIP) paralajmëroi grevë e cila do të fillojë prej 7 marsit deri në përmbushjen e kërkesave për pagesë të rrogave për të punësuarit në “Pyjet nacionale”, raporton MIA.

“Greva do të mbahet nga 7 marsi dhe do të zgjatë deri në përmbushjen e kërkesave të Sindikatës, ndërsa kërkesat janë shumë të thjeshta – pagesë e rregullt dhe e plotë e rrogës të të punësuarve, kompensimet e rrogës dhe shtessat për rrogë si shtesë e cila nuk është paguar pothuajse një vit”, tha në konferencën e sotme për shtyp kryetari i SNIP, Ivan Peshevski.

Nga atje informojnë se kjo ndërmarrje po përballet me çaste jashtëzakonisht të vështira dhe nuk paguan rroga dhe kontribute, ndërsa punëson 400 punëtorë të rinj.

Greva, siç u cek në konferencën për shtyp, është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatës nga të gjitha filialet e kësaj ndërmarrje në vend.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të pushtetit të gjejnë zgjidhje si të punësuarit të marrin rrogë me kohë.

Peshevski theksoi se vendimi është të mos punojë askush, sepse, siç tha, askush për momentin nuk ka marrë rrogë.

Ai theksoi se rrogat e të punësuarve janë të vogla, dhe konsideron se njerëz të cilët janë kuadër inxhinierik, meritojnë shumë më tepër se 40 mijë denarë rrogë.

“Pyjet nacionale” ka përfaqësi në 30 qytete të vendit dhe vendimi për grevë ka të bëjë me të gjithat.

Lidhur me 400 punësimet e reja, siç tha Peshevski, arsyetimi ishte se ka nevojë për punësime të tilla.

“Në shtet, të gjitha punësimet janë mu para zgjedhjeve në ndërmarrjet  dhe institucionet publike, kështu që, nëse kanë pasur nevojë, le t’i mbajnë, sepse paraprakisht i mbanin si punëtorë sezonal dhe shumë prej atyre të punësuarve nuk merrnin sigurim pensional, shëndetësor, as rrogë”, tha ai.