Të burrëruar para kohe…

U burrëruam para kohe duke e pritur luftën që lëvizte nga veriu drejt jugut. S’e dinim dhe s’e ndjenim se lufta e pashpallur moti kishte filluar.

Ecnim udhëve të rrezikshme dhe s’mendonim për kthimin, sepse duhej të ecnim. Ishim moskokëçarës ndaj rreziqeve të shumta në një botë të egër. Optimizmi në kohëra të zymta për ne ishte forcë shpëtimtare…

I shpërfillëm shumë ëndrra e dëshira që e ushqejnë pemën e jetës rinore, duke besuar se duhej të ishim të dobishëm edhe për të tjerët dhe si etër duhej të mendonim edhe për fëmijët e pa lindur.

Lexonim edhe libra që s’i kuptonim, sepse besonim se aty thuhej diçka që duhej patjetër ta dinim.

Kur filluan luftërat, na u dukën më pak të tmerrshme seç i kishim paramenduar, sepse, pa e ditur, me vite kishim jetuar me ritmet e tyre.

Kur përfundoi shumëçka ndjemë se ishim plakur, kurse rrëfimet tona u dukeshin të çuditshme dhe të pabesueshme fëmijëve tanë të rritur në botë më të lirë…

Vonë e kuptuam se lufta për ne s’do të përfundonte kurrë. Kishim përjetuar shumë ngjarje të trishta, që e rëndojnë jetën njerëzore. Ankthet vazhdojnë ta rëndojnë kujtesën tonë, por edhe marrëzitë që bëhen në emër të lavdive të së kaluarës…

Si të besojmë se e shkuara e trishtuar, siç tha Edward Said, “është vërtetë e shkuar, e sosur, e përfunduar”, kur pasojat e saj të panumërta e rëndojnë kohën tonë “në forma të ndryshme”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.