Kurti realizoi një vizitë në veri të Kosovës, Lista Serbe e quan provokim

Kryeministri, Albin Kurti, më 03.04.2024, ka vizituar komunat në veri të vendit, ku ka marrë pjesë edhe në përurimin e pllakës përkujtimore për heroin Enver Zymeri, në vendin ku ai u vra në Zubin Potok, raporton Kallxo. Të pranishëm në zbulimin e kësaj pllake ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi si dhe familjarë të heroit.

Kurti ka vizituar edhe Leposaviqin e Mitrovicën e Veriut, ku siç raportohet nga mediat lokale, ka takuar kryetarët e atyre komunave.

Për këtë vizitë ka reaguar Lista Serbe (LS), e cila ka thënë se “Kurti ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb e të paraqitet si viktimë, për të fituar disa pikë politike më shumë apo vota për zgjedhjet e ardhshme”.

“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe 100 forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës shqetësoi serbët në Kosovë të cilët e panë me neveri këtë shfaqje” – ka shkruar Lista Serbe.

Partia më e madhe serbe në Kosovë ka këkruar nga organizatat ndërkombëtare që të reagojnë “ndaj këtij provokimi të dukshëm dhe të kërkojnë që populli i tyre të ndalojë shtypjen e popullit serb, i cili këtë herë ka treguar përmbajtje dhe tolerancë të jashtëzakonshme”.

Zymeri, kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe ishte vrarë në veri të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31.

Pllakë përkujtimore për Enver Zymerin është vendosur edhe në Qendrën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut, më 26.07.2023, e cila mban emrin e tij.