Taravari: Plumbi na kujton Italinë kur mafia e vrau Falkonen

Në oborrin e shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët sot në mëngjes është gjetur plumb i pashkrepur, ndërkaq autoritetet policore po e shqyrtojnë rastin, njofton Portalb.mk.

“Sot (05 shkurt) në ora 09:34, J.J.(42) nga Gostivari ka raportuar në SPB- Tetovë se para derës së hyrjes së shtëpisë së A.T.(50) në Gostivar, është gjetur një plumb i armës automatike e kalibrit 7.62 milimetra. Një ekip nga SPB Tetovë – Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar ka kryer inspektim në vendin e raportuar, plumbi i gjetur është fotodokumentuar dhe është dërguar për ekspertizë. Po merren masa për pastrimin dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga SPB Tetovë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kreu i ASh-së Arben Taravari. Ai thotë se forcat e policisë të shtetit ishin sot në shtëpinë tij, sepse aty është gjetur një plumb që është lëshuar me mesazh të qartë kërcënues mafioz.

“Më vjen keq për familjen time dhe sidomos për nënën time e cila e ka përjetuar veçanërisht keq këtë situatë. Më vjen keq për ata politikanë që tregojnë se argumenti i tyre për të heshtur zërin e dikujt janë plumbat, plumba që më kujtojnë Italinë e viteve 1992 ku mafia e vrau gjykatësin e famshëm Xhovani Falkone…Por për kaq më vjen keq…këtu mbaron keqarardhja ime dhe Fillon Gëzimi Im sepse kuptoj se ata që e mbanin peng këtë vend janë në dëshpërimin e humbjes! Është në hall të madh kushdo që i mbaron fjala dhe i mbetet vetëm plumbi…”, shkruan Taravari.

Ai shton se “Kujtdo që e ka lëshu atë plumb, i them se edhe sikur artileri të rëndë të lëshoni, NDRYSHIMI KA FILLUAR DHE NUK KA ASGJË QË E NDAL!”.

“Ju mund të më vrisni mua, dhe kjo do të ishte një humbje e madhe për familjen time dhe më vjen keq që këtë po e lexojnë edhe fëmijët e mi…por ju do të vrisnit vetëm një njeri por çfarë do i bëni mijëra, qindramijrave e miliona njerëzve që tashmë janë çuar në këmbë?’ Ju nuk mund të heshtni, vrisni, ndaloni Një Popull!”, përfundon postimin Taravari.

Rasti ka ndodhur në kohë kur tensionet mes Taravarit dhe ish kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela janë rritur për shkak se Taravari ka shprehur qëndrimin se partia do të shkojë në zgjedhje bashkë me opozitën shqiptare, ndërkaq Sela ka deklaruar se partia do të shkojë në zgjedhje vetëm.

Sela, dje në konferencë për shtyp kërkoi të shkarkohet Taravari pasi që sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë.

Pos rastit të sotëm, mbrëmë pati dhe incident tjetër, gjegjësisht drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara, kuadër i Aleancës për Shqiptarët, mbështetës i Selës ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht në një restorant në Tetovë nga Krenar Osmani, udhëheqës i tifo-grupit “Ballistës”, i afërt me Taravarin. Nebiu thotë se nuk e njeh Osmanin, ndërkaq motivi sipas tij, mund të jetë ose për profesionin që ushtron ose për partinë, shkruan Portalb.mk.