RMV, më shumë se gjysma e familjeve në vend nuk mund të përballojnë një pushim njëjavor jashtë vendit

Më shumë se gjysma e familjeve në Maqedoninë e Veriut nuk mund të përballojnë një pushim vjetor njëjavor jashtë vendit, thuhet në analizën e portalit statistikor “Langeist”, bazuar në të dhënat e Eurostatit, transmeton Portalb.mk.

Me 55 për qind të amvisërive që nuk mund të përballojnë pushime shtatëditore jashtë kufijve shtetërorë, Maqedonia e Veriut pozicionohet në mesin e vendeve në Evropë, shumica e familjeve të të cilave nuk mund të përballojnë një pushim vjetor njëjavor jashtë vendit.

Shqipëria, ku 58,3 përqind e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet vjetore, Mali i Zi me 67,2 përqind dhe Kosova me 69,5 përqind janë pozicionuar më keq se vendi ynë. Në një kuadër më të gjerë rajonal, analiza e portalit “Langeist” tregon se 60,8 përqind e familjeve në Turqi dhe 62,5 përqind e atyre në Rumani nuk mund të përballojnë një pushim njëjavor jashtë vendit.

Në përqindje, nga rajoni, pjesa më e madhe e familjeve që mund të përballojnë pushimet vjetore jashtë vendit janë nga Kroacia (41,7 përqind), e ndjekur nga Serbia me 43,6 për ind, Bullgaria me 43,8 përqind dhe Greqia me 48,8 për qind.

Në ndryshim nga vendet e Ballkanit, të dhënat e portalit “Langeist” tregojnë se në vende si Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda, më pak se 10 përqind e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet vjetore.

Të dhënat për Maqedoninë e Veriut, siç theksohet nga portali, janë të vitit 2020, për Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë dhe Zvicrën nga viti 2021 dhe Kosovën, Islandën dhe Britaninë e Madhe nga viti 2018.