Takimi i OSBE-së në Shkup mbetet nën hijen e pjesëmarrjes së Lavrovit

Agjenda e takimit dyditor të Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që mbahet në kryeqytetin maqedonas, është vënë nën hije të pjesëmarrjes së kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, raporton REL.

Më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, Shkupi – nikoqir i takimit të OSBE-së – do të “blindohet”, pasi do të ketë kufizim të lëvizjes dhe masa të tjera të rrepta sigurie.

Pjesëmarrja në këtë takim e Lavrovit u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, apo 3 orë para dhe 72 orë pas datës së caktuar.

Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Por, heqja e ndalesës për diplomatin rus, Sergei Lavrov, bëri që pjesëmarrjen në Këshillin Ministror të OSBE-së ta anulojnë ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve baltike thanë se pjesëmarrja e planifikuar e Lavrovit “rrezikon ta legjitimojë Rusinë agresore si një anëtare të drejtë të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Megjithatë, pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar kryediplomati i Shteteve të bashkuara, Antony Blinken.

Kjo është hera e parë që Blinken dhe Lavrov do të jenë pjesëmarrës në një ngjarje të njëjtë, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar. Por, ende nuk ka asnjë njoftim nëse gjatë punimeve të Këshillit Ministror do të ketë ndonjë takim mes dy kryediplomatëve.

Sipas agjendës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të nisë vizitën në Shkup me një takim dypalësh me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.

Takimi i OSBE-së do të nisë të mërkurën në mbrëmje me një darkë joformale, ku do të marrin pjesë disa nga krerët e diplomacisë së shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.

Ndërkaq, gjatë punimeve të Këshillit Ministror pritet të caktohet kryesuesi i radhës me OSBE-në për vitin 2024, për të cilin në mbledhjen përgatitore të ambasadorëve të 57 vendeve anëtare të kësaj jave në Vjenë, u arrit konsensusi që të jetë Malta.

Në ditën e parë të Këshillit, të enjten është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

Veç kësaj, pjesëmarrësit e Këshillit do të vendosin edhe për buxhetin si dhe për emërimet në postet kyçe në institucionet e OSBE-së.

Masat e rrepta të sigurisë

Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut, aktualisht kryesuese e kësaj organizate të sigurisë.

“Kjo ngjarje është me rëndësi për vendin tonë, për faktin se kemi të bëjmë me një tubim të madh me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura ndërkombëtare, andaj edhe kemi ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij aktiviteti. Qyteti nuk do të jetë në bllokadë të plotë”.

“Qytetarët mund të lëvizin, por kufizime do të ketë në vendin ku do të mbahet takimi”, tha zëdhënësja e policisë maqedonase, Suzana Praniq-Talevska.

Autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar se mund të ketë masa shtesë të sigurisë, varësisht nga rrethanat.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej 30 nëntor deri më 1 dhjetor do të mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, i cili së bashku me kolegët e tij nga Estonia, Letonia dhe Ukraina refuzuan të marrin pjesë në takimin ministror të OSBE-së në Shkup, përmes Twitterit tha se vendi i Lavrovit është në Hagë dhe jo në të njëjtën tryezë me përfaqësues të vendeve demokratike.