Tagri i inateve dhe pabesive brendashqiptare

Asgjë në këtë botë nuk është e rastit. Nuk janë rastësore në veçanti ngjarjet që ju  kanë ndodhur, u ndodhin dhe do t’ju ndodhin popujve të vegjël, të dobët dhe të përçarë si mos më keq, pikërisht në momentet kur u kanosen rreziqe të mëdha dhe kur duhet të bashkohen e të bëhen një trup i vetëm. Jo rastësisht përgjatë historisë popujt e këtillë kanë ardhur duke u tkurrur në territor dhe duke u pakësuar në numër. Shembullin më të afërm të kësaj vakie e gjejmë te vetja jonë, te bajraktarizmi primitiv, te inatet e pafisnikëruara dhe paaftësia për bashkëveprim dhe bashkërendim të përpjekjeve për të shmangur furtunat, të cilave ua kemi parë sherrin pothuajse përgjatë gjithë historisë.
Jo rastësisht gjatë Epopesë Skënderbejane qenë ca bashkëluftëtarë të Kryeheroit tonë ata që ia kthyen shpinën përkohësisht apo përgjithmonë dhe ikën në taborin e armikut.

Jo rastësisht burrështetasi pa një të dytë si vetvetja, Hasan Prishtina, iku nga kjo botë pa arritur të realizojë ëndrrën për të organizuar një kryengritje gjithëkombëtare, për t’u çliruar nga zgjedha xhonturke, që, sa herë ngrihej në këmbë veriu, mobilizonte bashibozukët shqipfolës të jugut, e sa herë rebelohej jugu, për të njëjtat shkaqe, i disiplinonte e dhunonte nëpërmjet bashibozukëve të veriut.

Kjo u përsërit edhe në vitin 1945, kur paria e Shqipërisë lejoi ushtrinë jugosllave të kalojë nëpër territorin e saj, bashkë me mijëra djem të rinj shqiptarë të mobilizuar pa armatim, 4200 prej të cilëve u masakruan shtazërisht në Tivar nga partizanët e Titos.

Për të qenë tradhëtia më e madhe se kaq, akti gjenocidist i Tivarit ndodhi pas dërgimit të brigadave të shtetit amë për të nënshtruar mizorisht Drenicën e Shaban Polluzhës, që luftoi kundër mbetjes së Kosovës nën thundrat e shtypësve të rinj, bashkimvëllazërimi i të cilëve u kuptua mirëfilli nga kërbaçi i rankoviqëve dhe gjenocidet e Kasapit të Ballkanit në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Të njëjtit kob e pabesi ndërshqiptare, aktualisht ia ndjejmë aromën në Veriun e Kosovës, veçmas pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Deçanit, i cili ka gjasa të përsëritet në versione shumë më egërshane. Dhe nësë ndodh kjo, një pjesë e fajit do t’u takojë militantëve të partive politike të Kosovës, që enda pa u mbushur dy javë nga sulmi në fjalë, në vend se të bëhën një dhe shembull për njerëzit e zakonshëm, kacagjelohen publikisht në “debatat” e zhurmshme, në të cilat bërtasin përnjëherësh 5-6 analistë dhe ekspertë gjithollogë (respekt përjashtimeve!), që më shumë se përballjes me armikun gjenocidist, i frikësohen humbjes në zgjedhjet e ardhshme të zeusëve të tyre.

Pa e zgjatur shumë, nuk mund të mos e përmend këtu dhe rolin krejtësisht të pakuptueshëm të kryeministrit Rama, i cili sot flet në OKB në favor të Kosovës, kurse nesër përsërit kërkesat e kryetarit serb, sipas të cilave: KFOR-i duhet të marë nën kontroll Veriun e Kosovës, që, gjithnjë sipas lartmadhërisë së tij, qenga toka e askujt.

  • Për mjerim tonin, kjo është ajo që e bën të gjithkohshëm vargun e Sabri Hamitit: Përsëritja përsërtitet përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.