Ministrat e MPJ-së në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë, Osmani: Ky proces paraqet fuqi lëvizëse për rajonin

Në kuadër të procesit të Berlinit, sot, në Tiranë mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme, i organizuar nga ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Hasani. Ministri Bujar Osmani tha se Procesi i Berlinit ka evoluar në një platformë udhëheqëse për bashkëpunim rajonal që ka peshë të madhe politike dhe ekonomike, si dhe shërben si fuqi lëvizëse për bashkëpunimin rajonal, por edhe ndihmon rajonin të arrijë qëllimin e tij strategjik – integrimin e plotë në Bashkimin Europian”, transmeton Portalb.mk.

Duke iu referuar zgjerimit, Osmani tha se është inkurajuese që debati i brendshëm i BE-së për këtë çështje dhe mënyrat për ta lehtësuar atë po fiton ritëm dhe cilësi. Në këtë kontekst, shpallja e Planit të ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor duhet të synojë rritjen e konvergjencës me BE-në, duke mundësuar qasje në nxitësit kryesorë të rritjes, siç është Tregu i vetëm dhe ndihma financiare.

“Rajoni duhet t’i forcojë përpjekjet për zbatimin e reformave të brendshme, të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të forcojë më tej fqinjësinë e mirë. Tregu i Përbashkët Rajonal jo vetëm që mbetet i dashur për ne pasi u inaugurua gjatë Kryesimit tonë të përbashkët me Bullgarinë të Iniciativës në vitin 2020, por më e rëndësishmja, ne e shohim atë si element kryesor për rritjen ekonomike të rajonit dhe një hap më pranë Tregut të vetëm”, tha Osmani.

Nënshkrimi i tre marrëveshjeve të mobilitetit, gjatë takimeve të vitit të kaluar në Berlin, është i një rëndësie të madhe. Si depozitues, Maqedonia e Veriut i kushton vëmendje të veçantë rëndësisë së zbatimit të tyre dhe përfitimeve praktike që ato sjellin për qytetarët tanë.

Përveç krerëve të diplomatëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në takim marrin pjesë edhe vendet anëtare të kyçura në proces, Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëritë e Bashkuara.

Takimi do të ketë dy seanca, të cilat sipas njoftimit do të jenë të mbyllura, pas së cilës do të mbahet një konferencë e përbashkët nga nikoqiri Hasani, ministrja gjermane Annaklena Baerbock dhe komisionari evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhejli.

“Në seancat do të diskutohet për përforcimin e dimensionit rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e veçantë e këtij procesi në kontekst të integrimit në BE, përforcimin e angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët rajonal, katër liritë themelore, agjendën e gjelbërt dhe digjitale, pajtueshmërinë me tregun e vetëm të BE-së, mirëmbajtjen e momentumit rigjallërues të arritur nga Samiti vjetor në Berlin, zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, përforcimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian”, informuan nga Ministria e Shqipërisë.

Sipas mediave, megjithatë, “ajo që pritet me interes të veçantë është diskutimi për çështjen rreth Kosovës dhe Serbisë në prani të ministres së Kosovës, Donika Gërvalla dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq”.

Duke shtuar se ministrja gjermane Baerbock do të ketë takime veçmas me Gërvallën dhe Daçiqin, mirëpo ende është e diskutueshme nëse ajo do të arrijë të realizojë një takim të përbashkët me ata.

Shqipëria, në datën 16 të këtij muaji do të jetë vendi nikoqir i procesit të Berlinit, me atë që për here të parë në histori ky proces do të mbahet jashtë kufijve të BE-së.

Kryeministri Edi Rama mbrëmë njoftoi se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentja e Komisionit të Evropës (KE), Ursula von der Lezen, si dhe një numër i madh i kryeministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Shqipëria ishte nikoqire edhe në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 dhjetor vitin e kaluar, që ishte hera e parë që një takim i tillë të mbahej jashtë BE-së.