Sulmoi mjekun dhe zyrtarët policor ndërsa po i jepnin ndihmë mjekësore, Prokuroria e Manastirit kërkoi paraburgim për një 28 vjeçar
Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka hapur procedurë kundër një 28-vjeçari i cili sulmoi fizikisht një mjek dhe dy zyrtar policie gjatë fundjavës, ndërsa ata po i jepnin ndihmë mjekësore në një kazino, dhe më pas në Spitalin Klinik në qytet, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari, siç njoftoi sot Prokuroria Publike, po ndiqet penalisht për sulm ndaj një punonjësi shëndetësor dhe një asistenti shëndetësor gjatë kryerjes së aktiviteteve shëndetësore sipas nenit 304-d të Ligjit për Mbrojtjen e Shëndetit, si dhe për veprën penale të sulmit ndaj një personi zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë sipas nenit 383 të Kodit Penal (KP).
Sipas Prokurorisë, incidenti ndodhi të dielën, më 29 qershor, në një kazino në Manastir, ku i dyshuari fillimisht sulmoi një mjek të urgjencës i cili po i jepte ndihmë mjekësore.
Ai e goditi mjekun me grusht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Në deklaratë nuk u përmend pse 28-vjeçari kishte nevojë për ndihmë mjekësore, por pasi mori ndihmë mjekësore në kazino, ai u transferua në Spitalin Klinik në qytet, ku vazhdoi të rezistonte dhe të refuzonte të trajtohej, për këtë arsye u thirr ndihma e policisë.
“Kur mbërritën dy oficerët e policisë, i dyshuari 28-vjeçar i sulmoi ata, duke i goditur vazhdimisht dhe duke i kërcënuar”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Duke vlerësuar se ai mund të arratisej dhe ta përsëriste krimin, prokurori publik kompetent i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Manastirit që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin 28-vjeçar.