Studentët në Shkup vetëm drekën dhe darkën do ta hanë në konvikt, mëngjesin do ta blejnë me paratë e subvencionit për ushqim

Nga ky vit akademik, në RMV, studentët që banojë në dy konviktet studentore në “Goce Dellçev“  dhe në “Stiv Naumov”, nuk do të kenë mëngjes, konfirmoi për Meta.mk Viktor Veleski, drejtori i Konviktit Shtetëror Studentor – Shkup, nën udhëheqësinë e të cilit janë këto dy konvikte por edhe “Kuzman Josifovski Pitu” i cili është në fazë të rinovimit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Veleskit, kjo bëhet për shkak se studentët tash mëngjesin do ta blejnë me paratë e subvencionit studentor që e marrin për ushqim.

“Nuk shohim arsye përse të japim nga tre vakte për shkak se mëngjesi përdoret më pak. Nëse në drekë kemi 700 ushqime në “Goce Dellçev”, në mëngjes kemi rreth 100. Në disa konvikte studentore në vend, mëngjesi është hequr vite më parë. Ne këtë vit në kuadër të Konvikteve Shtetërore Studentore në Shkup, nuk e hoqëm mëngjesin por e ndërruam orarin e punës të mensës për shkak se çdo student nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës merr subvencion studentor për ushqim, gjegjësisht mjete prej 140 denarësh. Ato janë para që studentët këtë vit duhet në nivel ditor t’i shpenzojnë, dhe jo si vitin e kaluar ku ata kanë marrë para në nivel mujor”, deklaroi Veleski.

Ai informoi se deri tani nuk kanë pasur reagime nga studentët për heqjen e mëngjesit.

Në konviktin studentor “Pellagonija” në Kisella Vodë, tashmë 10 vite nuk ka mëngjes për studentët që banojnë në konvikt. Atje në zhvillim është procesi i akomodimit të studentëve dhe përgjegjësit presin numrin final që të dinë se sa ushqime do të duhet të përgatisin për drekë dhe darkë.

“Mëngjesi te ne është hequr para 10 viteve, por prandaj kohëzgjatja e përdorimi të vakteve është rritur. Mensa fillon me punë në ora 11 dhe shërben ushqim deri në ora 21:00. Pajtohem me atë që mëngjesin e kanë hequr në konviktet tjera për shkak se shumë ushqim hedhet”, tha drejtori i konviktit Agim Fejzullahu.

Ai shtoi se që kur ka filluar rritja e çmimeve, ka trend të rritjes të studentëve që hanë në mensë.

“Më nuk ka hamburgerë për 70 denarë. Në vitin 2018, për shembull, drekën e kanë përdorur 500 studentë nga 1000 dhe tani në mensë hanë 850 studentë”, shtoi drejtori.

Në konviktin “Pellagonija”, akomodimin dhe qiranë e paguajnë rreth 20 përqind të studentëve, ndërsa të tjerët janë të lëshuar nga pagesa për arsye të ndryshme, të ardhura të ulëta mujore të prindërve, më shumë studentë në të njëjtën kohë të një familjeje e kështu me radhë.

Rikujtojmë se afati i aplikimit të studentëve për akomodim në konvikte ka përfunduar, nëse mbeten vende të paplotësuara për akomodim në ndonjë konvikt, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni deri më  30.11.2023 kanë njoftuar nga Ministria.

LEXO:Aplikimi mbaron nesër për 1093 shtretërit e paraparë për studentët e vitit të parë në konviktet e Maqedonisë së Veriu