Bashkësia ndërkombëtare ende pa qëndrim ndaj ndryshimeve të Kodit Penal

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ende nuk kanë ndonjë qëndrim nëse ndryshimet e Kodit Penal janë në kundërshtim me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe investimet në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk.

Ambasadori, Dejvid Gir sot ka deklaruar se Bashkimi Evropian së shpejti duhet të dalë me qëndrim në lidhje me ndryshimet e Kodit Penal, të cilat shkaktuan një sërë reagimesh në vend, si në përmbajtjen e tyre, ashtu edhe në lidhje me procedurën e shkurtuar (me flamur evropian) në të cilën u miratuan ndryshimet.

“Mendoj se ato (ndryshimet e Kodit Penal) janë duke u studiuar nga kolegët në Bruksel dhe jam i sigurt se së shpejti do të ketë përgjigje në lidhje me këtë pyetje”, tha shkurt Gir, i pyetur për të komentuar ndryshimet kushtetuese.

Përgjigje identike dha edhe në pyetjen se si e komenton procedurën, gjegjësisht miratimin e ndryshimeve me “flamur evropian”.

“Të dyja pyetjet besoj se do të përgjigjen nga Brukseli së shpejti”, tha euroambasadori.

Portalb.mk kërkoi qëndrim edhe nga Ambasada e SHBA-së në vend në lidhje me qëndrimin e tyre rreth ndryshimeve kushtetuese dhe nëse të njëjtat janë në kundërshtim me përpjekjet dhe fondet e shpenzuara nga bashkësia ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

Sot, ambasadorja Angela Ageler shkurt tha se ajo “nuk i ka parë dhe s’mund të komentojë”, por tha se ata paraprakisht janë përgjigjur për këtë çështje.

“Ekipi ligjor i Ambasadës Amerikane është duke i shqyrtuar ndryshimet në Kodin Penal, nuk i kam parë personalisht, ndaj nuk mund t’i komentoj, por siç u njoftua nga Departamenti i Shtetit, është e nevojshme të ndiqen procedurat e Kodit Penal. sistemin juridik të vendit”, tha sot ambasadorja Ageler.

Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, më 8 shtator ka publikuar një deklaratë nga shërbimi për media i Stejt Departamentit, nëse ndryshimet e Kodit Penal do t’i rëndojnë përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, prej atje kanë deklaruar se e inkurajojnë Maqedoninë e Veriut t’i plotësojë premtimet e saja për luftë kundër korrupsionit.

“Liderët e Maqedonisë së veriut patjetër duhet të tregojnë rezultate antikorrupsioni të fuqishme dhe të prekshme nëpërmjet përforcimit të pavarësisë institucionale dhe parandalimit të ndikimit politik, veçanërisht në gjyqësor, që është me rëndësi thelbësore për plotësimin e qëllimeve për hyrje në BE dhe ndërtim të besimit të qytetarëve në qeverinë”, kanë theksuar nga Stejt Departamenti Amerikan.

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërsimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.