Studentët e Arteve Dramatike do të sjellin në skenë “Koprracin” e Molierit, vepër që nuk e humbet aktualitetin
Në kuadër të provimit të vitit të dytë në Fakultetin e Arteve-Arti Dramatik në Universitetin e Tetovës, studentët Andi Shaqiri, Fatmir Palloshi dhe Xheladin Rufati do të prezantojnë komedinë e njohur “Koprraci” të Molierit, më 10 qershor në ora 20:00 në Skenën e Artit Dramatik në Tetovë. Projekti realizohet nën udhëheqjen e Kushtrim Bekteshit dhe Arta Zejnelit, shkruan Portalb.mk.
Njëri nga interpretuesit, Fatmir Palloshi, për Portalb.mk vlerëson se kjo vepër vazhdon të mbetet aktuale pavarësisht kohës kur është shkruar.
“Mendoj se vepra ‘Koprraci’ vazhdon të mbetet aktuale edhe sot sepse trajton tema që nuk ndryshojnë me kohën. Lakmia, interesi personal i gjithsecilit prej personazheve dhe marrëdhëniet mes njerëzve janë dukuri që i shohim edhe sot. Edhe pse është shkruar shekuj më parë, personazhet dhe situatat e veprës vazhdojnë të na duken të afërta, prandaj publiku arrin ta kuptojë dhe ta shijojë edhe sot”, tha Palloshi.
Ai theksoi se procesi i përgatitjes nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi gjatë gjithë shfaqjes studentët kalojnë nga një rol në tjetrin.
“Në fakt, pothuajse të gjitha skenat kanë qenë sfiduese për ne. Arsyeja kryesore është se gjatë gjithë provimit kemi ndryshime rolesh nga një skenë në tjetrën. Kjo na ka kërkuar që vazhdimisht të ndryshojmë mënyrën e të menduarit, emocionet, energjinë dhe sjelljen e personazhit. Një personazh e sheh botën ndryshe nga tjetri, prandaj kalimi nga një rol në një tjetër nuk ka qenë i lehtë. Si grup, unë, Andi Shaqiri dhe Xheladin Rufati kemi punuar shumë që secili personazh të ketë identitetin e vet dhe të mos ngatërrohet me personazhet e tjera. Ka qenë një sfidë e madhe, por edhe një përvojë shumë e vlefshme për ne si studentë të aktrimit”, u shpreh ai.
Sipas Palloshit, puna me tekstin ka nisur me shumë entuziazëm që nga leximi i parë i veprës.
“‘Koprraci’ na ka pëlqyer që në leximin e parë dhe që nga fillimi kemi nisur ta punojmë me shumë dëshirë dhe përkushtim. Në fazat e para, gjatë leximeve në tavolinë, kemi zbuluar vazhdimisht detaje të reja dhe u kemi shtuar ngjyra të reja personazheve nga një lexim në tjetrin. Më pas, kur kaluam në skenë, shumë gjëra ndryshuan edhe më tepër. Filluam t’i kuptonim personazhet më thellë, të gjenim marrëdhëniet mes tyre dhe të shihnim situatat nga këndvështrime të ndryshme. Ishte një proces që na ndihmoi të rriteshim neve si studentë të aktrimit. Një ndihmë shumë të madhe kemi pasur nga profesori ynë Kushtrim Bekteshi dhe asistentja jonë Arta Zejneli, të cilët na kanë udhëhequr gjatë gjithë procesit dhe kanë qenë në çdo moment aty për ne”, deklaroi ai.
Duke folur për pritjet nga prezantimi para publikut, Palloshi tha se qëllimi kryesor është që publiku të argëtohet dhe të përjetojë energjinë e komedisë.
“Ne jemi ende studentë dhe mbi të gjitha dëshirojmë që publiku të kënaqet, të qeshë dhe ta shijojë punën tonë. Për ne do të jetë kënaqësi nëse arrijmë ta mbajmë publikun të përfshirë dhe t’i përcjellim energjinë e kësaj komedie. Ky prezantim ka shumë rëndësi sepse është hera e parë që punojmë një komedi të tillë në këtë formë dhe është një mundësi e mirë për të treguar atë që kemi mësuar gjatë studimeve dhe këtë semestër. Natyrisht kemi emocionet tona, por mezi presim të ndajmë me publikun gjithë punën që kemi bërë gjatë kësaj periudhe”, përfundoi Palloshi.
