UNT mbajti ceremoninë e diplomimit, ambasadori Mejdani: Mos u dorëzoni kur gjërat bëhen të vështira

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, dje organizoi ceremoninë e diplomimit për gjeneratën e tetë të studentëve të tij. Ngjarja mblodhi krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, udhëheqës fetarë, akademikë, profesorë dhe qindra familjarë që nderuan suksesin e të rinjve që sot zyrtarisht u rreshtuan në radhët e qytetarëve me përgatitje të lartë akademike, transmeton Portalb.mk.

Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, uroi përzemërsisht absolventët, duke vënë theksin tek përgatitja e tyre për një treg pune që po ndryshon me shpejtësi marramendëse nën ndikimin e inteligjencës artificiale dhe sfidave gjeopolitike.

“Keni njohuritë, keni shkathtësitë, por mbi të gjitha keni mënyrën e duhur të të menduarit. Ky është ndryshimi ndërmjet atij që di shumë gjëra dhe atij që di se si të mësojë gjëra të reja”, u shpreh Rektori Fetaji. Duke cituar thënien e famshme e Nënë Terezës, ai u la porosi studentëve: “Mos u fokusoni shumë për të bërë gjëra të mëdha, por i bëni gjërat e vogla me dashuri të madhe. Dyert e këtij universiteti mbeten gjithmonë të hapura për ju. Një herë familje e UNT-së – familje përgjithmonë.”

Në këtë ngjarje, studentëve me fjalë rasti iu drejtua kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili vlerësoi lart rolin e UNT-së në konsolidimin e elitës së re intelektuale dhe inkurajoi të diplomuarit që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, duke u bërë shtyllat e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të vendit, duke theksuar se “vendi ynë ka nevojë për energjinë, dijen dhe vizionin e brezit të ri”.

Po ashtu, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali, në fjalimin e tij përcolli mesazhin se “arsimi mbetet investimi më i sigurt për të ardhmen e çdo shoqërie, ndërsa të rinjtë, me dijen, energjinë dhe kreativitetin e tyre, janë forca që e çon vendin përpara. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, mësimi dhe zhvillimi profesional duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës”.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se shteti ka nevojë urgjente për kuadro të rinj shkencorë-hulumtues. Ajo bëri të ditur se Ministria po punon për masa sistemore për avancimin ndërkombëtar të shkencëtarëve të rinj.

Një fjalim tejet frymëzues dhe me nota të larta emocionale mbajti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Mejdani. Ai solli në vëmendje historinë e Gonxhe Bojaxhiut, vajzës së vogël nga Shkupi që pa pasur pushtet apo famë, ndryshoi botën sepse nuk u dorëzua kurrë para së pamundurës.

“Mos lejoni që realiteti i sotëm të vendosë kufijtë e së ardhmes suaj. Kur të gjeni mure në rrugën tuaj, mos i pranoni si kufij, kaloni përtej tyre. Merrni me vete dinjitetin, mirësinë dhe besimin se e nesërmja mund dhe duhet të jetë më e mirë. Njerëzit nuk mbahen mend për atë që fituan, por për atë që ndryshuan”, theksoi Ambasadori Mejdani.

Një nga mesazhet kryesore të fjalimit ishte thirrja për këmbëngulje. Meidani u bëri apel të diplomuarve që të mos dorëzohen përballë vështirësive, paragjykimeve apo dyshimeve të të tjerëve, por të vazhdojnë rrugën e tyre me guxim dhe besim.

Denion Meidani në ceremonin e diplomimit të UNT-së. Foto: Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup/Facebook
Denion Meidani në ceremonin e diplomimit të UNT-së. Foto: Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup/Facebook

Ai theksoi gjithashtu se bota ka nevojë për më shumë se profesionistë të suksesshëm, duke nënvizuar rëndësinë e njerëzve që ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe kontribuojnë në shoqëri. Sipas tij, suksesi nuk matet vetëm me arritjet personale, por edhe me ndikimin pozitiv që lëmë tek të tjerët.

“Prandaj, nëse do të mbani mend vetëm një mesazh nga unë sot, le të jetë ky: Mos u dorëzoni! Mos u dorëzoni kur gjërat bëhen të vështira. Mos u dorëzoni kur dikush ju thotë se nuk mundeni. Mos u dorëzoni para versionit më të vogël të vetvetes”, tha Meidani.

Në fjalën e tij, Meidani vuri në dukje rolin e brezit të ri në zhvillimin e rajonit, duke i cilësuar të diplomuarit si “brezi i zhvillimit” dhe “brezi i ndryshimit”. Ai i inkurajoi ata të përballen me sfidat me shembullin e tyre dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat, sado të mëdha të duken ato.

“Nëse dikush ju thotë se rruga e vetme është frika, përgjigjuni me guxim. Nëse dikush ju thotë se asgjë nuk ndryshon, përgjigjuni me shembullin tuaj. Nëse dikush ju thotë se ëndrrat janë shumë të mëdha, kujtoni Gonxhen. Sepse vajza e vogël nga Shkupi nuk e ndryshoi botën sepse ishte më e forta. Ajo e ndryshoi botën sepse nuk u dorëzua kurrë para asaj që dukej e pamundur. Dhe kur të ecni përpara, merrni me vete diçka që bota ka gjithmonë nevojë: dinjitetin, mirësinë dhe besimin se e nesërmja mund dhe DUHET të jetë më e mirë se e sotmja. Sepse në fund, njerëzit nuk mbahen mend për atë që fituan. Mbahen mend për atë që ndryshuan. Urime për diplomimin. Dilni në botë me guxim”, tha Meidani.

Në pjesën qendrore të ceremonisë, në emër të stafit akademik dhe administrativ, rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, ndau mirënjohje për pesë ish-studentët e dalluar (Alumni).

Mirënjohje morën, Marika Cvetkovska nga Fakulteti i Shkencave Teknike, sot Inxhiniere e Trafikut Rrugor dhe Projektuese, Ramadan Zejneli nga Fakulteti i Shkencave Sociale sot në pozicionin Udhëheqës Sektori, Hamdi Xhunior Ajeti nga Fakulteti i Shkencave Informatike, sot Inxhinier i Lartë i Softuerëve, Shermin Memed nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike sot Specialist i Mbështetjes së Klientëve si dhe Art Rexhepi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës sot Arkitekt i angazhuar suksesshëm në sektorin privat.

Mirënjohje pranuan edhe pesë studentët më të dalluar të kësaj gjenerate nga Rektori Fetaji për rezultatet elitare gjatë studimeve, Xheneta Islami studentja më e mirë e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, me notë mesatare 8.60, ndërsa Kanita Reçica studentja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Informatike, me notë mesatare 9.50, Besjana Islami studentja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Teknologjike, me notë mesatare 9.73, Almedina Topalovska studentja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Teknike, me notë mesatare 9.80 si dhe Adrela Zenku studentja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Sociale, me notë mesatare maksimale 10.00.

Ceremonia u mbyll me hedhjen tradicionale të kapelave nga ana e absolventëve, duke shënuar kështu nisjen e tyre drejt sukseseve të reja profesionale dhe jetësore