Strehimi i papërballueshëm për të rinjtë: 11 vite pagë për një apartament 50 m² në Shkup
Një të riu do t’i nevojiteshin më shumë se 11 vite paga mesatare të plota për të arritur vlerën e një apartamenti prej 50 metrash katrorë në Shkup. Llogaritja supozon se ai nuk do të shpenzonte asnjë denar për ushqim, fatura, transport dhe nevoja të tjera bazë, njofton Radio Mof. Edhe me pjesëmarrjen e lehtësuar për blerjen e banesës së parë, kësti i përafërt i kredisë do të përbënte rreth 62 përqind të një page mesatare, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat e shpjegojnë edhe arsyen se pse shumica e të rinjve vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e prindërve të tyre deri në dekadën e katërt të jetës.
Hulumtimi i publikuar nga Organizata e Banimit tregon se rreth 75 përqind e të rinjve në moshë nga 18 deri në 34 vjet në Maqedoni jetojnë me prindërit e tyre. Kjo e vendos vendin në mesin e vendeve evropiane me përqindjen më të lartë të të rinjve që ende nuk kanë filluar të jetojnë të pavarur.

Sipas Risto Saveskit nga Forumi Rinor Arsimor çështja e strehimit mbetet një nga çështjet kryesore për të rinjtë në vend.
“Maqedonia është diku mbi mesataren e Bashkimit Evropian për sa i përket numrit të viteve kur të rinjtë fillojnë të jetojnë të pavarur dhe largohen nga shtëpia e prindërve të tyre. Mosha mesatare e largimit të të rinjve në Maqedoni është 30,7 vjet, ndërsa para nesh në rajon janë vetëm Greqia dhe Kroacia”, thekson Saveski.
Mosha mesatare e lartë e pavarësimit nuk mund të shpjegohet vetëm me zakonet familjare ose dëshirën e të rinjve për të jetuar me prindërit e tyre më gjatë. Çmimet e larta të apartamenteve, punësimi i paqëndrueshëm dhe të ardhurat që nuk e ndjekin plotësisht rritjen e shpenzimeve për strehim krijojnë pengesë ekonomike për jetë të pavarur.
Apartamenti prej 50 metrash katrorë vlen më shumë se 11 vjet paga të plota
Sipas të dhënave nga platforma “CenaKvadrat”, e cila i analizon shpalljet aktive në uebfaqet kryesore për pasuri të patundshme në Maqedoni, çmimi mesatar i reklamuar i një apartamenti në Shkup më 11 gusht të vitit 2026 ka qenë rreth 2.142 euro për metër katror. Me këtë çmim apartamenti prej 50 metra katrorësh do të kushtonte përafërsisht rreth 107.125 euro.
Këto janë çmime që janë në shpalljet e publikuara, e jo çmime përfundimtare të shitjes. Ato mund të ndryshojnë në varësi të komunës, vendndodhjes, vjetërsisë së objektit, gjendjes dhe marrëveshjes mes shitësit dhe blerësit. Por, këto të dhëna na japin pasqyrë të shumave me të cilat përballen të rinjtë kur kërkojnë shtëpi në kryeqytet.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave paga mesatare neto në muajin maj të vitit 2026 ishte 49.544 denarë, ose rreth 806 euro.
Kur vlera e apartamentit të pjesëtohet me pagën mesatare, fitohet numër prej pothuajse 133 pagash mujore. Kjo është pak më shumë se 11 vjet të ardhura të plota.

Kjo përllogaritje është vetëm krahasim matematikor i vlerës së apartamentit me lartësinë e pagës. Në jetën reale asnjë punonjës nuk mund t’i ndajë të gjitha të ardhurat e tij për blerjen e pasurive të patundshme. Të rinjtë paguajnë njëkohësisht edhe për ushqim, fatura, transport, shërbime shëndetësore, arsim dhe shpenzime të tjera për jetesë.
Nëse një person mund të kursejë 20 përqind të pagës mesatare, ose rreth 161 euro në muaj, do t’i duheshin më shumë se 55 vjet për t’i mbledhur paratë për të gjithë vlerën e apartamentit. Prandaj, në të shumtën e rasteve blerja financohet përmes kredisë afatgjatë për shtëpi.
Pjesëmarrje më e ulët për shtëpinë e parë
Nga 1 dhjetori i vitit 2025 janë lehtësuar kushtet për kreditim për shtëpi për personat që për herë të parë po e zgjidhin çështjen e strehimit. Me vendimin e Bankës Popullore personi që nuk ka apartament ose shtëpi në emrin e tij ose të saj mund të marrë kredi banesore me një pjesëmarrje personale minimale prej 10 përqind të vlerës së shtëpisë.
Për rastet e tjera pagesa fillestare është rritur nga 15 përqind në 25 përqind. Edhe pse lehtësimet për blerjen e shtëpisë së parë nuk kufizohen ekskluzivisht sipas moshës, nga Banka Popullore theksuan se presin ndër përfituesit kryesorë të saj të jenë të rinjtë dhe çiftet e reja të sapomartuara.
Në shembullin për apartamentin me vlerë prej 107.125 euro, pjesëmarrja minimale prej 10 përqind do të ishte rreth 10.712 euro. Sipas pragut të mëparshëm prej 15 përqind blerësi do të duhej të siguronte 16.069 euro.
Masa e ul shumën fillestare për rreth 5.357 euro. Megjithatë, edhe pjesëmarrja më e ulët prej 10 përqind është e barabartë me më shumë se 13 paga mesatare të plota.
Nëse një i ri ndan 20 përqind të pagës mesatare çdo muaj vetëm për ta paguar pjesëmarrjen për blerjen e apartamentit do i duheshin rreth pesë vjet e gjysmë. Në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë ndryshimet e çmimeve gjatë asaj periudhe, as shpenzimet shtesë për blerjen e orendive për apartamentin.
Pjesëmarrje më e ulët, kredi më e madhe
Ulja e pjesëmarrjes e lehtëson qasjen në kredi, por edhe do të thotë që blerësi duhet të huazojë shumë më të madhe.
Pas pagesës së 10 përqindshit për apartament me vlerë prej 107.125 euro, për pagesë mbeten rreth 96.412 euro për kredi. Me normë interesi prej 4,67 përqind dhe periudhë shlyerjeje prej 30 vjetësh, kësti mujor do të ishte rreth 498 euro.

Kësti do të ishte rreth 62 përqind e pagës mesatare neto. Blerësit do t’i mbeteshin vetëm rreth 308 euro në muaj për të gjitha shpenzimet e tjera për jetesë.
Për një çift me dy paga mesatare, i njëjti këst do të ishte sa rreth 31 përqind e të ardhurave të tyre të përbashkëta. Përllogaritja tregon se blerja e apartamentit është dukshëm më e realizueshme për familje me dy të ardhura të qëndrueshme sesa për një person të ri që dëshiron të jetojë vetëm.
Kredia për strehim mbart në vete edhe shpenzime shtesë që nuk janë të përfshira në përllogaritje, siç janë vlerësimi i pronës, shpenzimet bankare dhe noteriale, sigurimi, tatimet, regjistrimi i pronës, si dhe shpenzimet për orendi dhe mirëmbajtje.
Gjithashtu, shembulli nuk paraqet ofertë konkrete bankare. Interesi dhe kësti përfundimtar varen nga banka, aftësia kreditore e klientit, periudha e shlyerjes, lloji i normës së interesit dhe kushtet e tjera kontraktuale.
Çmimet e apartamenteve po rriten më shpejt se pagat
Hendeku midis pagave dhe çmimeve të apartamenteve zgjerohet edhe më shumë kur krahasohen normat e tyre vjetore të rritjes.
Në tremujorin e parë të vitit 2025 Banka Popullore ka regjistruar rritje vjetore prej 19,4 përqind të çmimeve të apartamenteve në Shkup. Në tremujorin e fundit të vitit 2024 rritja ka qenë 10,6 përqind.
Për dallim nga kjo paga mesatare neto në shtator të vitit 2025 ishte për 9,3 përqind më e lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në muajin dhjetor rritja vjetore e pagave ishte 7,6 përqind.
Edhe pse periudhat nuk janë plotësisht identike dhe nuk duhet të barazohen drejtpërdrejt, të dhënat tregojnë se çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm më shpejt se të ardhurat mesatare në periudha të caktuara. Kështu, edhe pse të rinjtë fitojnë paga më të larta, shuma e nevojshme për një apartament mund të rritet edhe më shpejt.

Strehimi është problem ndërkombëtar
Pamundësia për të blerë apartament nuk është problem vetëm në Maqedoni. Në Raportin Botëror për qytetet për vitin 2026, UN-Habitat vlerëson se deri në 3,4 miliardë njerëz në mbarë botën nuk kanë qasje në strehim të sigurt dhe adekuat.
Sipas raportit, raporti global i çmimeve të shtëpive dhe të ardhurave është rritur nga 9,3 në vitin 2010 në 11,2 në vitin 2023. Rreth 44 përqind e banorëve po përballen me shpenzime për strehim që konsiderohen si të papërballueshme.
Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se në shumë vende shpenzimet për strehim po rriten më shpejt se të ardhurat. Pasojat i ndjejnë veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh kanë paga fillestare më të ulëta, përvojë pune më të shkurtër, kursime më të vogla dhe kontrata pune më të paqëndrueshme.
Dallimi qëndron në reagimin e vendeve. Disa vende evropiane ofrojnë qira të subvencionuara, strehim publik, lehtësime tatimore, garanci për kreditë për blerjen e shtëpisë ose programe speciale për blerësit e shtëpive për herë të parë.
Ligji për Strehim Social ende në përgatitje e sipër
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë nisma më konkrete është Ligji i ri për Strehim Social. Propozimi u publikua në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar të Rregulloreve në fillim të vitit 2026.
Në prezantimin publik të zgjidhjes ligjore në muajin dhjetor të vitit 2025 Gjoko Vellkovski, atëkohë zëvendësministër, theksoi se qëllimi është krijimi i një sistemi modern, të drejtë dhe transparent për strehimin social.
Sipas njoftimit të Ministrisë ligji duhet të sigurojë qasje dinjitoze në strehim për kategoritë e cenueshme, si dhe mbështetje për të rinjtë dhe familjet e reja. Janë paraparë edhe mekanizma për zbatimin e masave në nivel lokal, me rol më të madh të komunave.
Por, ligji ende nuk përfaqëson program aktiv përmes të cilit të rinjtë mund të aplikojnë menjëherë për apartament. Sipas informacionit të fundit zyrtar të publikuar më 29 korrik të vitit 2026 zgjidhja ligjore ende ishte në përgatitje e sipër dhe pritej të miratohej së shpejti.
Në njoftimet e deritanishme zyrtare nuk është specifikuar numri i apartamenteve që do të jenë në dispozicion, kriteret për të ardhurat, shumën e kredisë, metodën e shpërndarjes dhe numrin e saktë të të rinjve që do të përfshihen. Për këtë arsye për momentin zgjidhja ligjore duhet të trajtohet si njoftim për politikë të ardhshme, e jo si ndihmë që tashmë është në përdorim.

Lehtësimi i kredisë nuk do të thotë edhe apartament i disponueshëm
Masa për pjesëmarrje prej 10 përqind mund t’i ndihmojë njerëzit që tashmë kanë punë të qëndrueshme, të ardhura mjaftueshëm të larta dhe një pjesë të kursimeve të nevojshme. Por, ajo nuk e ul çmimin e shitjes së apartamentit dhe nuk ofron një zgjidhje për të rinjtë që nuk i plotësojnë kushtet për të marrë kredi.
Ka edhe të rinj me paga minimale ose nën mesatare, të papunë, punonjës me honorare, njerëz me kontrata me afat të caktuar dhe të tillë që nuk kanë mbështetje nga familja për ta siguruar pjesëmarrjen. Për ta, blerja e shtëpisë mbetet edhe më e paarritshme.
Të dhënat tregojnë se largimi vonë nga shtëpia prindërore nuk është vetëm çështje tradite ose zgjedhjeje personale. Kur për një apartament prej 50 metrash katrorë nevojiten më shumë se 11 vjet paga mesatare të plota, ndërsa kësti i kredisë mund ta kalojë gjysmën e të ardhurave të personit, jeta e pavarur bëhet sfidë ekonomike.
Mosha mesatare prej 30,7 vjetësh, të cilën e thekson Saveski, në këtë kontekst nuk është për t’u habitur. Është tregues i tregut të patundshmërive në të cilin të rinjtë e fitojnë dëshirën për pavarësi shumë më herët sesa mundësinë financiare për ta arritur atë.
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.