Maqedonia ndër vendet me konsum të lartë të duhanit, 22.5% e qytetarëve mbi 16 vjeç konsumojnë duhan

Maqedonia vazhdon të jetë ndër vendet me përqindje të lartë të konsumit të duhanit dhe produkteve të ngjashme. Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, në vitin 2022 – 22,5 për qind e qytetarëve mbi 16 vjeç konsumonin çdo ditë duhan ose produkte të ngjashme. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5 për qind, transmeton TV21.

“Gjersa BE-ja ka parë një rënie të përgjithshme të përdorimit të duhanit (nga 17.5% në 16.5%), shumica e vendeve në rajon (Turqi, Serbi, Kroaci, Bullgari) kanë parë rritje të ndjeshme. Maqedonia është në të njëjtin mjedis ballkanik ku konsumi mbetet i lartë. Në Maqedoni, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, në vitin 2022, 22.5% e personave të moshës 16 vjeç e lart përdornin duhan dhe produkte të ngjashme çdo ditë”, thonë nga Eurostat.

Ndërkaq të dhënat më të reja kombëtare janë nga GYTS 2024  – Anketa Globale për Përdorimin e Duhanit te të Rinjve, të prezantuara në shkurt 2026, 13.6% e nxënësve 13–15 vjeç përdorin një lloj produkti të duhanit – norma më e lartë e regjistruar deri tani në këtë seri anketash.

Duhanpirja lidhet me më shumë se një të tretën e të gjitha rasteve të kancerit të mushkërive, si dhe me një pjesë të konsiderueshme të sëmundjeve kardiovaskulare. Pulmologu Zekirija Shahini ngre alarmin për konsumin e duhanit, duke treguar se duhanpirja është shkaktari numër një i kancerit të mushkërive

“Duhet të ngrihet alarmi, pse jo edhe të frikësohen njerëzit se është për t’u frikësuar dhe për të treguar se shkaktari i kancerit të mushkërive është duhani. Nëse nuk mund ta ndalojmë 100% të paktën ta parandalojmë ose të gjejmë një alternativë që t’i paraprijë kësaj, që të mos vije te sëmundjet fatale, e fatkeqësisht ajo që më shqetëson më shumë është edhe mosha e re e pacientëve. Nuk është një moshë 70 apo 80 vjeçare, por janë një shumicë e madhe e pacientëve 50-60 vjeçare, që është një moshë shumë e re, moshë mesatare. Kemi një rritje të vdekjeve të pacientëve të moshave të reja”, u shpreh Zekirija Shahini, pulmolog.

Përndryshe, Projektligji për mbrojtjen nga duhani është në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Ai parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës, si dhe rregullimin e saktë të tarracave të lokaleve të shërbimit të ushqimit. Për herë të parë, përfshihen edhe cigaret elektronike, produktet e duhanit me ngrohje dhe produkte të tjera të reja me nikotinë. Vendimi parashikon shtrëngimin e rregullave për reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe produkteve të lidhura me të, veçanërisht në hapësirën digjitale dhe në rrjetet sociale, me qëllim zvogëlimin e ndikimit tek të rinjtë.

Në shkurt të këtij viti, të dhënat e një hulumtimi treguan se 13,6% e nxënësve të moshës 13–15 vjeç aktualisht përdorin ndonjë produkt të duhanit, që është prevalenca më e lartë e regjistruar deri më tani. Veçanërisht shqetësuese janë edhe të dhënat se 57% e të rinjve kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55,4% kanë qenë të ekspozuar në ambiente të mbyllura publike