Stadiumi i Tetovës përplas Qeverinë me Komunën

Fatih Huseini, trajner për futbollistët e rinj në Klubin Shkëndija, thotë se stadiumi i Tetovës nuk është vetëm në funksion të këtij klubi, prej nga kanë dalë shumë lojtarë që përfaqësojnë kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, por është një fushë sporti që hap perspektivë për të rinjtë nga rajoni i Pollogut (Tetova Gostivari, Tearca, Zhelina etj), raporton Radio Evropa e Lirë.

“Nga ajo kohë, pra nga viti 1980-1981, kanë kaluar tashmë 44 vjet dhe në stadiumin e Tetovës asgjë nuk është rinovuar”, thotë Huseini.

Ai shprehet i zhgënjyer nga qeveritë dhe pushteti vendor që deri më tani nuk arritën të ndërtojnë një stadium modern për Tetovën.

“Ne, si Tetovë, kemi pasur dhe kemi fëmijë shumë të talentuar në futboll, ndërkohë na mungon një stadium modern”, thekson për Radion Evropa e Lirë Huseini.

Ai e konsideron të turpshëm faktin që klubi Shkëndija, që dy herë ka fituar kupën e artë dhe për katër herë ka dalë kampione në Ligën e Parë të futbollit, të stërvitet në një terren joadekuat dhe të jetë e detyruar që ndeshjet e futbollit t’i realizojë në terrenet e huaja.

“Jemi të detyruar që shumë ndeshje ndërkombëtare, në mungesë të kushteve, t’i realizojmë në Strumicë apo Shkup”, thotë Huseini.

Ndërkaq, Gjorgji Strezovski sjell ndërmend kohën e ndërtimit të stadiumit, ku kishte marrë pjesë edhe babai i tij me punë vullnetare, si i punësuar në një kompani.

“Unë shumë rrallë kam qenë në stadium po djali 8-vjeçar ka dëshirë që t’i ndjekë lojërat nga stadiumi. Shkupi është larg për ne tetovarët, po të kishim stadium këtu, do të qe më lehtë. Mendoj se stadiumi i ri duhet ndërtuar. Pasi kështu siç është, me vite i paprekur, është duke u rrënuar. Me rëndësi është të kemi një stadium të ri”, thotë Srezovski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 21 maj solli vendim që të ndërpriten punimet për stadiumin e ri në Tetovë të cilat filluan muajin e kaluar. Reagoi kryetari i Komunës së Tetovës, e konsideroi si dëm ndaj qytetit.

Kujtojmë që aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit filluan me 12 prill 2024, planifikohet të ndërtohet stadium i ri ndërsa pritet të jetë gati për tre vjet.

Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.

Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.

Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë. Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.

Ndryshe, edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra e qytetit “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.