Pse pas Serbisë, Maqedonia e Veriut mbetet vendi më pak pro-perëndimor në Ballkan?

Maqedonia e Veriut radhitet e parafundit në listë kur bëhet fjalë për prirjen pro-perëndimore. Sondazhi i fundit i IRI-it tregon frymën perëndimore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia është e fundit në listë ndërsa Shqipëria e Kosova vlerësohen të jenë vendet më pro-perëndimore. Ekspertët e politikës së Jashtme vlerësojnë se qëndrimi pro-evropian në Ballkanin Perëndimor shihet si thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, shkruan Portalb.mk.

Edhe përkundur përkrahjes financiare nga BE-ja dhe retorikës pro-evropiane të partive politike në vend qytetarët e RMV-së shprehen me rezerva kur bëhet fjalë për bindjet pro-perëndimore. Sondazhi i fundit i publikuar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon se Maqedonia e Veriut është vendi më pak pro-evropian në rajon, menjëherë pas Serbisë.

Sondazhi i realizuar gjatë muajit shkurt-mars të vitit 2024 ilustron me numra konkret frymën por-evropiane në  vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm 34% e të anketuarve në RMV mendojnë se BE është serioze në qëllimin që tju ofrojë anëtarësim vendeve të rajonit ndërsa 47% mendojnë se ky qellim nuk është serioz.

Për diplomaten Lorenca Bejko bindja pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, siç vërehet vitet e fundit, pasqyron një tablo të përzier.

“Ndërsa ekziston një dëshirë e fortë për integrim në BE, sfidat vazhdojnë, duke përfshirë korrupsionin, institucionet e dobëta dhe paqëndrueshmërinë politike. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë reforma për konvergjencë me standardet e jetesës së BE-së, duke theksuar boshllëqet e rëndësishme të zhvillimit të rajonit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përballen me pengesa në rrugët e tyre drejt BE-së, me mbështetjen e Shqipërisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut që tregon ndërvarësi midis vendeve. Euroskepticizmi në Maqedoni pas zgjedhjeve ngre shqetësime, duke ndikuar në përpjekjet e saj për përafrimin me BE-në]. Adresimi i këtyre sfidave është thelbësor për nxitjen e një të ardhmeje të qëndrueshme, të begatë dhe të integruar brenda Bashkimit Evropian”, deklaroi për Portalb.mk Lorenca Bejko, doktorante e Diplomacisë dhe Ligjëruese Institutin e Studimeve Diplomatike në Paris dhe Institutin e Studimeve Evropiane në Tiranë.

Dr. Lorenca Bejko, foto nga arkivi personal
Dr. Lorenca Bejko, foto nga arkivi personal

Në rajon vendet më pro-perëndimore janë Shqipëria dhe Kosova ndërsa më pak janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Vetëm 32% e të anketuarve në RMV mendojnë se anëtarësimi i vendit në NATO ka qenë shumë pozitiv. Kujtojmë se RMV u bë vend anëtar i 30-të i NATO-s më 27 mars 2020, kjo arritje u vlerësua si realizim i një nga qëllimeve më të rëndësishme strategjike të vendit, me një vendim unanim të Kuvendit të vitit 1993. Nga Ministria e Punëve të Jashtme në RMV, anëtarësimin në NATO e vlerësojnë “si qëllim strategjik, që çdoherë ka pasur mbështetje të fuqishme nga publiku dhe konsensusi i gjerë ndërpartiak, ndëretnik dhe shoqëror”. Sipas tyre anëtarësimi në NATO është kontributi më i madhe për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Kur është në pyetje kursi i politikës së jashtme që vendi duhet të ndjekë, vetëm 31% të të anketuarve në RMV mendojnë se vendi duhet të ndjek vetëm kurs pro BE-së dhe Perëndimit përderisa 12% mendojnë se vendi duhet te ketë marrëdhënie të mira me BE-në por në të njëjtën kohë tia ruaj dhe raportet e mira me Rusinë ndërsa 11% mendojnë se kursi i Politikës së Jashtme të vendit duhet të jetë pro Rusisë por të ruhen raporte të mira me BE-në.

Kursi evropian i vendit filloi të luhatet dhe në nivel shtetëror gjatë inaugurimit të presidentes së sapo zgjedhur në RMV, Gordana Siljanovska Davkovës, e cila gjatë ceremonisë së betimit më 12.05.2024 vendit ju referua me emrin “Maqedoni” dhe në asnjë moment nuk përmendi emrin kushtetues të vendit. Për këtë ashpër reaguan nga MPJ greke të cilët theksuan se “marrëdhëniet dypalëshe me shtetin fqinj dhe rruga e tij evropiane varen nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe përdorimi i emrit kushtetues. Sa i përket zgjedhjeve të 8 majit ku u vendos qeveria dhe presidenti i ri i vendit, fituesit janë pritur me rezerva në arenën ndërkombëtare. Pak kohë më parë, në një postim në platformën X,i sh-sekretari shtetëror për Evropë në Ministrinë për punë të jashtme gjermane dhe kryetari aktual në Komisionin për punë të jashtme në Bundestag, Mihael Rot, deklaroi se në zgjedhjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka triumfuar nacionalizmi i djathtë dhe vlerësoi që kjo është një goditje serioze për BE-ambiciet e vendit. Ai fajin për situatën e tillë nuk e gjen vetëm te humbësit socialdemokratë në Qeveri, por edhe te shtetet e BE-së, të cilët, siç deklaroi, i kanë evropianizuar çështjet bilaterale dhe kanë kërcënuar me ato.

Megjithatë edhe përkundër asaj që duket si rritje e euroskepticizimit, nëse sot do të kishte një referendum ku do duhej të votohej për anëtarësim të vendit në BE 68% e të anketuarve në RMV kanë thënë se do të votonin pro.

“Qëndrimi pro-evropian në Ballkanin Perëndimor shihet si thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Megjithatë, ka sfida të tilla si korrupsioni dhe deficitet demokratike që pengojnë përparimin drejt integrimit në BE. Termi ‘stabilitokraci’ përdoret shpesh për të përshkruar situatën, duke theksuar nevojën për reforma të vërteta demokratike. Në rastin e Maqedonisë, rritja e fundit e euroskepticizmit pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare është shqetësuese. Ky ndryshim mund të ndikojë në rrugën e vendit drejt integrimit në BE. Është thelbësore që RMV dhe vendet e tjera në rajon të trajtojnë çështje si korrupsioni, mungesa e vullnetit politik dhe tensionet historike për të forcuar harmonizimin e tyre me BE-në dhe për të siguruar një të ardhme më të begatë për qytetarët e tyre”, tha Bejko.

Sipas hulumtimit të fundit të Institutit Republikan Ndërkombëtar Amerikan problem më i madh për qytetarët e Maqedonisë janë çmimet e larta dhe shpenzimet për jetesë (31%), pastaj vjen korrupsioni (22%). Për atë se integrimet në BE duhet të jenë prioriteti kryesor janë deklaruar 1 përqind e të anketuarve, me çka kjo pyetje u gjend në vendin e fundit në anketë.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Cilët shtete konsiderohen miq e cilët armiq nga qytetarët e RMV?

Një polarizim mjaftë interesant i opinionit publik në RMV vërehet edhe në pyetjet se cilin shtet ata e konsiderojnë si aleatin më të madh të vendit të tyre dhe cilin e konsiderojnë armik. Sipas sondazhit për qytetarët e RMV-së shteti mik më i madh është Serbia ndërsa si armik më të madh ata e shikojnë Bullgarinë. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është lideri i huaj më popullor në mesin e qytetarëve të Maqedonisë. 66% kanë një mendim pozitiv për të. Në vend të dytë është presidenti rus, Vladimir Putin,për të cilin mendim pozitiv  kanë 49 % e të anketuarve, i ndjekur nga presidenti amerikan Joe Biden me 37 % dhe presidenti kinez Xi Jinping me 35 %.