Spasovski: Për momentin nuk mendoj për emra për kandidat presidencial

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thotë se për momentin nuk po mendon për emrat e mundshëm të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale që duhet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Në një paraqitje në TV Alsat, i pyetur nëse do të kandidojë për president, duke qenë se emri i tij po përmendet gjithnjë e më shpesh, Spasovski thotë se për këtë do të diskutojnë organet partiake.

“Si anketat, ashtu edhe njohja nga qytetarët janë vetëm edhe një motiv tjetër për t’u përkushtuar maksimalisht për të kryer të gjitha detyrat që kemi në dispozicion. Prandaj, për mua nuk ka rëndësi sa zgjat mandati – unë që nga dita e parë që erdha këtu, u nisa për të arritur qëllimet që i vendosa. Pa llogaritur se sa mund të zgjasë mandati i ministrit, nëse një, disa mandate, një vit etj. Nëse niseni me qasjen që të përfundoni diçka dhetë arrini qëllimin që keni, është mjaft e rëndësishme për veten dhe për të gjithë të tjerët që janë përreth – ta njohësh atë qëllim dhe ta arrish qëllimin. Pra, në pjesën politike sigurisht që do të diskutohet në nivel partie, në nivel të organeve partiake në marrjen e vendimeve të tilla”, thotë Spasovski.

Ai thotë se i dëgjon emrat që përmenden, por kjo është në kuadër të spekulimeve dhe bisedave që po ndodhin në opinion.

“Unë momentalisht nuk mendoj fare për këtë çështje. Ndoshta do të vijë tema për të cilën do të diskutojmë dhe do të përballemi me të gjitha argumentet. Çfarë është e rëndësishme për mua?! E rëndësishme është që të bëhen analiza të mira, të bashkohen të gjitha strukturat që nënkuptojnë ose ndajnë vlerat e përbashkëta evropiane, vlerat për përparimin e vendit dhe, ai opsion për të udhëhequr Maqedoninë në katër vitet e ardhshme. Ky është prioriteti im kryesor dhe unë do të luftoj për këtë prioritet. Ambiciet personale, fatet personale dhe kalkulimet politike nuk janë aspak të rëndësishme, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe secili qytetar duhet të jetë i rëndësishëm për ne”, thotë Spasovski.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili u përkrah nga LSDM dhe koalicioni, në daljet e tij paraprek publike është pyetur disa herë nëse do të kandidojë për një mandat të dytë, por përgjigjet e tij ishin se ende nuk ka vendosur. Se a do të kërkojë besim edhe për pesë vite në krye të shtetit, ai theksoi se për të është e rëndësishme mbështetja e koalicionit që i qëndroi në zgjedhjet e paraprake, por edhe më shumë mbështetja dhe vlerësimi i qytetarëve.