Spasovski: Nuk kemi dëshmi për të shtënat në vende publike

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në intervistën për REL, tha se policia ende nuk ka dëshmi për dikë të dyshuar për të shtënat në vende publike viteve të fundit, në mesin e të cilave kishte edhe vrasje mafioze, transmeton Portalb.mk.

Vrasje kishte në rrugën Ruzveltova, në Butel, Çair dhe Çarshinë e Shkupit, ndërsa ka pasur të shtëna edhe në objekte si “Aleksandar Palace” dhe “East Gate Mall.

“Është e saktë ajo që ju e deklaroni si fakt dhe ato janë rastet, në të cilat nuk kemi siguruar dëshmi deri në fund për kryerjen e veprave penale, megjithatë ato janë vetëm pesë nga 128 raste. Perceptimin duhet ta ndërtojmë në fakte dhe argumente. Ndërimi i strukturave kriminele zgjat 30 vite dhe në ato 30 vite ka pasur vrasje të këtilla, ndërsa ndërtimi i atyre strukturave është ndihmuar çdoherë nga isntitucionet”, tha Spasovski.

Për të shtënat ndaj Rade Trajkovskit – Shtekli, Spasovski tha se, hetimi është në fazë të avancuar.

“Janë ndërmarrë një sërë masash dhe janë siguruar më shumë dëshmi. Ky rast zhvillohet me ndihmë juridike ndërkombëtare, ndërsa ajo ndihmë do të na ndihmon në sigurimin e dëshmive të caktuara”, tha Spasovski.

Kujtojmë se muajve të fundit, në dy raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendrën tregtare East Gate. Në rastin e fundit, si pasojë e të shtënave, dy persona mbetën të plagosur dhe u dërguan për trajtim mjekësor në spital.