Sot shënohet Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për HPV, vaksinimi dhe skriningu mund të shpëtojë jetë

Më 4 Mars, shënohet Dita Botërore të Ndërgjegjësimit për Papillomavirusin Njerëzor (HPV) – një nga viruset më të zakonshme seksualisht të transmetueshme dhe shkaku kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Kjo ditë është kujtesë se ky është një problem shëndetësor serioz, por i parandalueshëm. HPV është një grup prej më shumë se 200 llojesh virusesh, nga të cilat rreth 40 transmetohen përmes kontaktit seksual, transmeton Portalb.mk.

Shoqata Maqedonase e Gjinekologëve dhe Obstetërve (ShMGjO) thekson se vlerësohet se më shumë se 80% e personave seksualisht aktivë do të vijnë në kontakt me virusin të paktën një herë në jetën e tyre. Tek shumica e njerëzve, infeksioni kalon pa simptoma dhe trupi e eliminon atë vetë. Megjithatë, tek disa njerëz virusi mund të vazhdojë dhe me kalimin e kohës të çojë në ndryshime parakanceroze dhe kancer.

Në Republikën e Maqedonisë, kanceri i qafës së mitrës është ndër sëmundjet më të zakonshme malinje tek gratë. Çdo vit regjistrohen afërsisht 150 deri në 170 raste të reja. Incidenca është rreth 20 raste të reja për 100.000 gra në vit, që është më e lartë se standardet e dëshiruara evropiane. Fakti që raste regjistrohen edhe tek shumë gra të reja është gjithashtu shqetësues.

Pothuajse 99% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës shoqërohen me infeksion afatgjatë me lloje HPV me rrezik të lartë. Kjo e bën këtë sëmundje një nga sëmundjet e rralla malinje që mund të parandalohen në mënyrë efektive.

Vaksinimi – një masë kyçe parandaluese

Në Republikën e Maqedonisë, vaksinimi kundër HPV është pjesë e kalendarit kombëtar të imunizimit dhe rekomandohet për vajzat dhe djemtë në adoleshencë. Vaksina është e sigurt, efektive dhe ofron mbrojtje kundër llojeve më të zakonshme të virusit me rrezik të lartë.

Megjithatë, mbulimi i vaksinimit në vend është rreth 50-55%, që është dukshëm nën mbulimin e rekomanduar prej të paktën 90-95% të kërkuar për mbrojtje kolektive. Kjo tregon nevojën për edukim shtesë dhe ndërgjegjësim publik.

Përvoja ndërkombëtare tregon se vendet me mbulim të lartë të vaksinimit kanë parë ulje dramatike të ndryshimeve parakanceroze dhe rasteve të diagnostikuara rishtazi të kancerit të qafës së mitrës në brezat e rinj.

Skriningu shpëton jetë

Përveç vaksinimit, ekzaminimet e rregullta gjinekologjike janë thelbësore. Testi Pap dhe testimi HPV lejojnë zbulimin e hershëm të ndryshimeve parakanceroze, kur trajtimi është i thjeshtë dhe shumë i suksesshëm. Është e rëndësishme të theksohet se infeksioni HPV shpesh nuk shkakton simptoma, prandaj kontrollet e rregullta janë të nevojshme, edhe kur një person ndihet i shëndetshëm.

Përgjegjësi e përbashkët

HPV nuk është një “sëmundje e një grupi specifik” – ai prek si gratë ashtu edhe burrat. Stigma, dezinformimi dhe frika mund të çojnë në vonesa në vaksinim dhe ekzaminime. Edukimi, diskutimi i hapur dhe mbështetja nga institucionet shëndetësore janë çelësi për mbrojtjen e brezave të ardhshëm.

Me një qasje të kombinuar – shkallë të larta vaksinimi, shqyrtim i organizuar dhe një popullsi e informuar – është e mundur të zvogëlohet ndjeshëm dhe madje të eliminohet kanceri i qafës së mitrës si një problem i shëndetit publik.

4 Marsi është një kujtesë se parandalimi është në duart tona. Ndërgjegjësimi, vaksinimi në kohë dhe kontrollet e rregullta shpëtojnë jetë.